Murtezaj: LDK-ja në një moment kritik, kërkohet unitet dhe reflektim

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka bërë një thirrje për unitet dhe reflektim të thellë brenda partisë duke theksuar nevojën për veprime të përgjegjshme për të ardhmen e LDK-së dhe Kosovës.

Murtezaj ka pranuar se dallimet e brendshme dhe sfidat e kohëve të fundit kanë vënë partinë në një pozitë të ndjeshme, por ka theksuar se asnjë individ apo grup nuk mund të ecë i vetëm. Ai ka bërë thirrje për një qasje kolektive duke kujtuar se vendimet e marra tani do të përcaktojnë të ardhmen e LDK-së.

“Njohja e gabimeve tona nuk është shenjë dobësie, por hapi i parë drejt një LDK-je më të fortë dhe më demokratike. Nuk mund të ketë lidership të vërtetë pa pranimin e përgjegjësisë,” ka deklaruar ai duke theksuar se praktikat e përjashtimit politik dhe sjelljet oligarkike duhet të marrin fund.

Në fjalën e tij, ai ka rikujtuar vlerat e trashëguara nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe ka bërë thirrje që partia të qëndrojë besnike ndaj parimeve të lirisë, demokracisë dhe transparencës.

“Ne duhet të kultivojmë kopshtin tonë Rugovian dhe të luftojmë çdo tendencë që synon centralizimin e pushtetit. LDK-ja duhet të jetë një forcë demokratike dhe jo një strukturë e mbyllur,” ka shtuar Murtezaj.

Sipas tij, ky moment është sfidues, por gjithashtu një mundësi për të rikthyer besimin dhe integritetin në parti. Ai ka bërë thirrje për një bashkim të vërtetë dhe konstruktiv, duke u distancuar nga arroganca dhe injorimi i realitetit politik.

“Kam besim se së bashku mund ta tejkalojmë këtë sfidë dhe ta bëjmë LDK-në sërish udhëheqëse të vlerave demokratike dhe drejtësisë,” ka përfunduar Murtezaj. /Kosova.info/


Go to TOP