Mungesa e ashensorëve ua vështirëson qasjen në objekte

Në shumë objekte të kryeqytetit mungojnë ashensorët dhe infrastruktura e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara, që si pasojë, këta persona nuk mund të marrin shërbimet e nevojshme. Drejtues të Komunës së Prishtinës kanë bërë të ditur së mungesa e buxhetit po e pamundëson pajisjen e të gjitha objekteve me ashensor.

Personat me aftësi të kufizuara po përballen me mungesë të infrastrukturës për qasje në objekte. Këtë e thotë për Radio Kosovën, Sabina Lloqani, e cila jeton e vetme me karrocë në një objekt në kryeqytet i cili nuk është i pajisur me ashensor.

“Për sa i përket infrastrukturës, gjendja është shumë e keqe. Në objekte banesore nuk ka qasje në lift. Si pasojë e kësaj, personat me aftësi të kufizuara e veçanërisht ata në karrocë, nuk mund të dalin për të marrë shërbimet e nevojshme. Gjendja është e tmerrshme. Në disa ndërtesa nuk ka fare ashensorë e në disa të tjera nuk funksionojnë”, ka theksuar Lloqani.

Në lidhje me këtë çështje, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës në një përgjigje me shkrim i tha Radio Kosovës se për sa i përket mungesës së ashensorëve kanë pranuar kërkesa të shumta por se problem vazhdon të mbetet mungesa e buxhetit.

“Ju njoftojmë se në Komunën e Prishtinës ka një numër të lartë të ndërtesave që nuk kanë ashensorë, për të cilat jemi në dijeni të plotë. Megjithatë ne kemi buxhet të kufizuar dhe nuk kemi mundësi buxhetore që të arrihet punimi (montimi) i të gjithë këtyre ashensorëve. Momentalisht kemi mbi 80 kërkesa nga të cilat me buxhet të këtij viti arrijmë ta ekzekutojmë montimin e tyre në vetëm 7 lokacione! Gjithnjë nga viti 2012 kur kemi filluar me këtë lloj të kontratës, ne kemi pasur parasysh rastet me persona me aftësi të kufizuara”, kanë thënë nga kjo drejtori.

Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbesin një ndër kategoritë më të diskriminuara në Kosovë. Kësaj kategorie po i shkelen të drejtat elementare të garantuara më ligj, për edukim, lëvizje të lirë dhe qasje në institucione publike.

Go to TOP