Mulaj u bën thirrje qytetarëve: Të bashkohemi për ndryshimin që e meriton Kosova

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Dr. sci. Besim Mulaj, ka drejtuar një thirrje të hapur për qytetarët, simpatizantët e LDK-së dhe mbështetësit e tij duke theksuar se vendi ka hyrë në një moment vendimtar ku kërkohet angazhim i përbashkët dhe vizion i qartë për të ardhmen e Kosovës.

Në një komunikim drejtuar opinionit publik, Mulaj tha se Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim politik e institucional, ndryshim që, sipas tij, mund të arrihet vetëm me bashkimin e qytetarëve rreth vlerave të zhvillimit, stabilitetit dhe partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai kujtoi se kjo ishte rruga e Presidentit historik Ibrahim Rugova, një vizion që LDK angazhohet ta mbrojë dhe ta çojë përpara.

Mulaj theksoi se dëshiron të jetë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës duke përfaqësuar shqetësimet, idetë dhe synimet e tyre për një shtet më funksional e më të drejtë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që, përveç votës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të kontribuojnë edhe në aktivitetet gjatë fushatës, në mënyrë që, siç tha ai, të ndërtohet një energji e përbashkët qytetare për ndryshim.

“Kosova ka nevojë për ndryshim, dhe këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm së bashku. Dua të jem zëri juaj në Kuvend dhe të punoj për të mirën e Kosovës sonë të dashur,” është shprehur Mulaj.

Ai ftoi të gjithë të interesuarit ta kontaktojnë përmes rrjeteve sociale, Facebook dhe Instagram, për koordinim të angazhimeve në fushatë duke theksuar se çdo kontribut është i vlefshëm dhe i nevojshëm. /Kosova.info/


Go to TOP