Kabashi godet narrativën e pushtetit: Telekomi në kolaps – qeveria i dha 30 milionë euro, nuk mori asnjë cent
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Festim Kabashi, ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson ai, propagandës së pushtetit për “suksese imagjinare” në menaxhimin e Telekomit të Kosovës dhe ndërmarrjeve të tjera publike. Kabashi thekson se realiteti është krejtësisht i kundërt me atë që prezanton Qeveria Kurti duke sjellë një sërë faktesh që, sipas tij, dëshmojnë për keqmenaxhim të thellë, shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe kapje politike të institucioneve.
Ai thekson se në Telekom situata është alarmante: punëtorët përballen me shkelje të të drejtave elementare, bordet ndërrohen me kritere partiake, ndërsa vendimmarrja është zhytur në nepotizëm dhe ndikim politik.
Kabashi nënvizon një fakt financiar që e konsideron të pakontestueshëm dhe rrëzues të propagandës së pushtetit:
“Në pesë vjetët e fundit të qeverisjes së Vetëvendosjes, qeveria jo që nuk mori asnjë cent nga Telekomi, por përkundrazi, i dha Telekomit 30 milionë euro për ta mbajtur në këmbë. Hera e fundit që Telekomi i dha dividendë shtetit ishte në vitin 2016, kur LDK udhëhiqte me ekzekutivin.”
Sipas tij, ky është ilustrimi më i qartë i asaj se si qeveria aktuale po menaxhon ndërmarrjet publike: me dështim financiar, mungesë transparence dhe me krijimin e një narrative që nuk përputhet me realitetin.
Kabashi përfundon duke thënë se modeli i qeverisjes së Vetëvendosjes në ndërmarrjet publike është “mashtrim, manipulim dhe propagandë”, ndërsa qytetarët meritojnë qeverisje të përgjegjshme dhe me rezultate të prekshme, jo statistika të fabrikuara. /Kosova.info/
