Maratona “Prishtina 2025”, policia paralajmëron bllokim të rrugëve

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën, më 28 shtator, do të mbyllen përkohësisht disa rrugë në kryeqytet për shkak të organizimit të Maratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2025”.

Policia përmes një komunikate për media njoftoi se është ndërmarrë një plan i posaçëm për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve dhe menaxhimin e qarkullimit.

“Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore”, thuhet në komunikatë.

Sipas policisë, qarkullimi i automjeteve do të ndërpritet në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja që lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova”, ku dhe ka dhënë edhe udhëzimet për rrugët alternative që duhet të përdorin qytetarët gjatë kohës së garës.

“Drejtimet kryesore përfshijnë devijimin nga Peja drejt Prishtinës përmes Sllatinës, Magurës dhe Lipjanit, lidhjen me rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, si dhe rrugën për në Fushë Kosovë përmes Bardhit të Vogël dhe fshatit Kuzmin”.

“Për ata që nisen nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës apo Aeroportit, udhëzimi është të ndjekin itinerarin përmes Lipjanit, Rufcit të Ri, Poturocit dhe Magurës. Po ashtu, nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit rekomandohet përdorimi i autostradës nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, me dalje në Lipjan dhe vazhdim drejt Aeroportit. Ndërsa qytetarët që udhëtojnë nga Mitrovica drejt Ferizajt do të kenë lëvizje të lirë pa ndalesa”.

Transporti publik në relacionet Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport dhe në drejtim të Pejës nuk do të qarkullojë gjatë kohës së garës, por do të devijohet në rrugët alternative të përmendura.

Plani do të fillojë të zbatohet të dielën, duke filluar nga ora 09:00, deri në përfundim të maratonës


Go to TOP