Spiropali takim pune me Gërvallën në New York
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim në New York me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla.
“Takim miqësor pune me Donika Gërvallën, ku jo vetëm rastësia na veshi kuqezi”, shkroi Spiropali në një postim në mediat sociale.
Spiropali ndodhet në New York, si pjesë e delegacionit të nivelit të lartë të kryesuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i cili po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Me ftesë të presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Annalena Baerbock, Spiropali do të marrë pjesë edhe në takimin vjetor të Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë së OKB.
Spiropali gjithashtu përfaqëson Shqipërinë në disa takime të rëndësishme shumëpalëshe e dypalëshe, ku në qendër të diskutimeve janë çështjet e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut.
Spiropali i është përgjigjur të shtunën me një mesazh falënderimi kryediplomates në detyrë të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwartz, e cila e uroi publikisht në platformën “X” për emërimin.
“Donikë e dashtun, falenderime zemre për urimin e ndjerë!”, shkruan Spiropali në reagimin e saj, duke theksuar se është “thellësisht mirënjohëse për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për vizionin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona motra dhe për mbarë kombin tonë”.
Ajo shprehet se do të vijojë të punojë “krah për krah” me diplomacinë e Kosovës, për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta dhe interesin kombëtar, duke e vendosur theksin në ndërtimin e një hapësire të re politike ku “fjala ka peshë, ku besimi ndërton ura dhe ku dinjiteti kombëtar shndërrohet në energji zhvillimi për rajonin dhe më gjerë”.
Urimi i Gërvallës erdhi mesditën e 20 shtatorit pas betimit të kabinetit të ri qeveritar në Shqipëri.
Ajo u shpreh “me bindjen se bashkëpunimi ynë i përditshëm do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet tona dhe do të shërbejë për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta të dy shteteve tona motra dhe të mbarë kombit tonë”.
Gërvalla falënderoi gjithashtu ish-ministrin Igli Hasani për bashkëpunimin e mirë në detyrë.
