Kusari-Lila kapet edhe Hoxhajn: A fola me lidhje e palidhje e vlerëson tjetër kush

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është përplasur sot në Kuvend edhe me deputetin e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Kjo pasi Hoxhaj vlerësoi se Kusari-Lila nuk foli si duhet për çështjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se askush nuk mundet me mbulu të kaluarën me ofendime, duke aluduar kështu në marrëveshjet që janë nënshkruar me Serbinë gjatë qeverisjes së PDK-së.

“z.Hoxhaj si një ish-ministër i Punëve të Jashtme , për një anëtar të Kryesisë së Kuvendit dhe një zëvendëskryeministër do të prisja një qasje dhe një nivel më të lartë. Mungesën e ofertës për çfarëdo zgjidhje edhe kur keni qenë në pushtet edhe tash në opozitë nuk mundesh me e mbulu as ti a askush tjetër me ofendime”, tha ajo.

Më tutje, ajo tha se a ka folurit me lidhje apo palidhje e vlerëson tjetër kush e jo Hoxhaj.

“A fola me lidhje a palidhje është vlerësim krejtësisht i dikujt tjetër që na ka sjellë këtu me mandat dhe secili mandat jemi përgjegjës ndaj atyre që ua keni kërkuar votën. Prej vitit 2013 deri në vitin 2022 janë 9 vite z.Hoxhaj. Prej vitit 2013 nuk jam pjesë e Qeverisë. Për 9 vite me radhë kam pasur mundësi mjaftueshëm për të dhënë qëndrimet e mija”, deklaroi Kusari-Lila.

Kusari-Lila iu përgjigj Hoxhajt edhe për marrëveshjet e nënshkruara sa kanë qenë së bashku në Qeveri.

“Sa kanë qenë të vlefshme ato marrëveshje që janë nënshkruar sa kemi qenë bashkë unë edhe ti në Qeveri e ka treguar vitin 2015 kur keni shkuar në Qeveri me LDK-në e ku shumicën e atyre marrëveshjeve i keni marrë, detaju dhe i keni shtuar elemente shtesë sepse kanë qenë të pazbatueshme në atë formë që janë nënshkruar”, tha ajo.

Go to TOP