Kurti: Viti 2025 do të jetë viti i gruas
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se viti 2025 do të jetë viti i gruas duke theksuar arritjet dhe planet e qeverisë së tij për fuqizimin ekonomik dhe social të grave.
Gjatë mandatit të parë të qeverisjes, Kurti përmendi si suksese mbështetjen për nënat lehona dhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si dhe krijimin e mbi 12 mijë vendeve të punës për gratë. Ai nënvizoi gjithashtu se mbi 100 mijë gra hapën për herë të parë llogaritë e tyre bankare, duke theksuar rëndësinë e pavarësimit financiar të grave.
Në vijim të këtyre masave, Kurti premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të rrisë më tej shkallën e aktivitetit të grave në ekonomi. Ai njoftoi një sërë masash konkrete, përfshirë programin “Superpuna për Gratë”, i cili synon krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillim profesional për gratë.
“Siç kemi bërë deri më tani, vëmendjen dhe përkrahjen për to vetëm sa do ta rrisim,” u shpreh Kurti, duke riafirmuar përkushtimin e qeverisë ndaj avancimit të pozitës së grave në shoqëri. /Kosova.info/
