Bajrami kritikon Kurtin: Me gomë për të shlyer korrupsionin e qeverisjes së tij katërvjeçare
Ish-ministrja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti gjatë hapjes së fushatës zgjedhore në Gjakovë, ku ai tha se qeveria e tij “me laps e shkruan zhvillimin dhe me gomë e shlyen korrupsionin”. Bajrami e cilësoi këtë deklaratë si paradoksale, duke theksuar se Kurti po kërkon një mandat të ri për të luftuar korrupsionin e krijuar nga qeverisja e tij katërvjeçare.
“Në vitin 2025, një kryeministër që ka qeverisur për katër vite me 51% të votave dhe me kontroll të plotë të pushtetit, po premton se do ta shlyejë korrupsionin me gomë! A është kjo një tallje me qytetarët?”, shkruan Bajrami.
Ajo përmendi disa raste të cilat, sipas saj, dëshmojnë dështimet e qeverisjes Kurti, përfshirë:
Skandalin e Martin Berishajt me 1.4 milionë euro.
Dëmet prej 36 milionë eurosh në KEK të shkaktuara nga Nagip Krasniqi.
Tenderin sekret 10-milionësh për rezervat shtetërore.
2123 kontrata sekrete gjatë qeverisjes aktuale.
Sipas Bajramit, qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit do të votojnë për një program që ofron reforma të thella në drejtësi, arsim, shëndetësi dhe ekonomi. Ajo theksoi se LDK-ja është alternativa që garanton kthimin e parave të vjedhura dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
“Qytetarët do të votojnë për ata që transformojnë vendin me projekte konkrete, që rrisin pagat dhe pensionet, që reformojnë sektorin privat dhe krijojnë një ambient të favorshëm për biznesin,” përfundoi Bajrami, duke shprehur bindjen se LDK-ja do të jetë zgjedhja e qytetarëve në këto zgjedhje. /Kosova.info/
