Kurti: Serbia do të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia do të mbahet përgjegjëse dhe fajtore para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kurti ka përkujtuar masakrën e 24 marsit 1999 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, duke e quajtur atë krim shtetëror të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit. Kurti ka theksuar se Serbia është fajtore për të gjitha krimet e kryera në Kosovë, para dhe gjatë luftës.

“Sot janë bërë plot 26 vjet nga dita kur Jugosllavia e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit kreu një krim shtetëror në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Forcat serbe rrethuan fshatin, vranë dhe dogjën trupat e tre të moshuarve dhe dëbuan banorët. 22 djem u ekzekutuan, ndërsa trupi i tyre u hodh në puse dhe mbeti aty deri pas luftës,” ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se Serbia do të mbahet përgjegjëse para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare për krimet e kryera në Kosovë. “Të vrarët në Kotlinë do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, bashkë me ata që ranë për lirinë e Kosovës,” ka thënë mes tjerash Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP