Analiza- Kush po e kërkon reformimin – ndarjen’ e LDK-së?

Shkruan: Idriz MORINA

Njëra nga kushtet që duhet plotësuar para se të ketë një nismë për reformim të LDK-së, është zgjidhja e çështjes se a janë kushtet e duhura dhe po ashtu se kush po kërkon reforma?

Po aq e rëndësishme, bile edhe më fondamentale është se cili është projekti i “reformatorëve”?!

E treta, për nga rëndësia është se pse duhet kërkuar dorëheqjen e një kryetari të LDK-së, që nga pozita dhe gjendja që e mori arriti dy suksese fillestare:

a. Arriti ti fitonte zgjedhjet lokale, duke dalë partia e parë, dhe ta kthente Prishtinën në menaxhim të LDK-së, të cilën për herë të parë e kishte humbur kjo parti nga VV-ja, dhe madje për dy mandate.

b. Dhe rezultati që ndodhi në zgjedhjet nacionale, edhe pse tepër modest, por shprehur në statistika është mbi 50%, që është një gurë prove për rritje të padiskutueshme, në mbi 18% (pa asnjë koalicion) nga rreth 11.5 % sa ishin votat reale të LDK-së, pasi me koalicion ishin afër 12.7%.

Këto rezultate ndodhën pas dështimit katakombik me Isa Mustafën dhe të bashkëpunëtorëve të tij, kur LDK-ja u përgjysmua (nga 206 516 vota, apo 28 deputetë në 14 – dhe VV-ja kishte vetëm një deputetë më shumë, 29, të siguruar nga vetëm 14.5 mijë vota më shumë), dhe mori goditjen thuaja fatale. Ndëshkimi ndodhi pikërisht pse LDK-ja nën menaxhimin e tij, kishte marrë drejtim të gabuar, duke e bërë Thaçin president, një personalitet që pritej së shpejti të dilte para Gjykatës speciale (zgjedhja e tij e zvarriti këtë proces dhe në një rast synoi zhbërjen e saj, dhe ajo u parandalua me meritë të Mustafës dhe LDK-së, që edhe e kishte votuar themelimin e saj, si dhe me mbështetje të VV-së, e cila ishte kundër themelimit të saj), dhe që provoi ta vazhdonte keqbërjen e marrëveshjeve me Serbinë, madje në një rast, edhe pse vet e kishte propozuar që marrëveshja të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, ky publikisht pat thënë se do të realizohej marrëveshja, ashtu siç qe bërë. Por, fati deshi, që Gjykata Kushtetuese të vendoste pozitivisht, dhe ta ruante dinjitetin e LDK-së, por edhe të vetë Mustafës. Veçanërisht pasi kompromiset në dobi të serbëve i vazhdoi Albin Kurti, me marrëveshjen e 2023-ës, Bruksel – Ohër, si në të drejta autonome, edhe në trashëgiminë fetare dhe kulturore, duke u dhënë eksterritorialitetin.

Atëherë ku buron pakënaqësia?

Burimet e pakënaqësisë janë dy, kryesore:

1. LDK-ja e meriton, ka kapacitete dhe duhet të kthehet në partinë e parë në Kosovë. Pra, as që duhet të diskutohet një rezultat më i mirë se ky i fundit apo vendi i dytë.

2. Vullneti për pushtet, për të qenë në qeverisje me çdo kusht.

Pika e parë duket se nuk është referencë e të pakënaqurve me rezultatin, sepse as që është krijuar ndonjë grup koheziv, po ashtu asnjë grupim apo lider në pritje, asnjë personalitet i LDK-së, nuk është duke premtuar apo duke u shfaqur me kërkesa apo premtime të atilla, si në pikën 1. Pra, nuk jemi para një situate të këtillë.

Sa i përket pikës së dytë, vullnetit apo këmbënguljes për pushtet qeverisës, aktualisht duket se janë dy grupime në LDK. Grupi, që po e kërkon me këmbëngulje hyrjen në koalicion me PDK-në, dhe që përvijohet lehtë, si grupi që kishte një bashkëpunim me Grenellin, kur u krijua qeveria Hoti.

Edhe pse Hoti, apo qeveria e tij, nuk lidhet me dështimin në qeverisje, imazhi i tij, lidhet siç e përmendëm shkarazi, me rënien rapide të LDK-së, deri në përbuzje.

Edhe pse ajo qeveri u krijua në një moment detyrimi, pasi vendi kishte ngelur pa qeveri, dhe pasi kjo u mundësua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e ndryshoi atë të vitit 2014, kur ajo udhëhiqej nga Enver Hasani, ishte pikërisht shija e hidhur që la marrja përsipër e krijimit të qeverisë me rrëzimin e një tjetre në mes të pandemisë, që i dha goditjen e dytë të rëndë LDK-së. Po ashtu rezultati i përmendur – i hidhur, ndodhi edhe veçanërisht pasi po kjo gjykatë vërtetoi se shumica qeverisëse ishte krijuar në mënyrë të paligjshme. Pra, ishin edhe këto dy momente kritike, që çuan në distancimin e votuesit të LDK-së nga lidershipi i saj i mbetur.

Grupimi tjetër duket, që është më i papërcaktuar, por në fakt i deklaruar për të qëndruar në opozitë, vendimi më legjitim, që do të duhej të ishte, edhe për të mirën e LDK-së, por që duket sikur brenda vetë këtij grupimi ka një tendencë, që në këmbim të një fuqie të pranueshme pushteti, të bëjë koalicion me Vetëvendosjen.

Pra, dallimi esencial aktualisht është se cili duhet të jetë partneri qeverisës apo më saktë, se LDK-ja, partner i kujt duhet të jetë!?

Që të dyja koalicionet janë treguar si një puthje gjarpëri për LDK-në. Edhe kur ka pranuar koalicion me PDK-në, por edhe si pasojë e koalicionit me VV-në, që si pasojë e tij, dhe më pas bashkimit me të të Vjosa Osmanit, votuesit e patën më lehtë të bindeshin për votimin e atij koalicioni të paformalizuar, por që praktikisht ishte i atillë (ndarja e pushtetit, Vjosa presidente dhe mbëshetësit e saj në qeveri).

Pra, me këtë pjesë shtjellimi, e argumetuam jo pak, edhe pse në mënyrë të tërthortë, se përfundimi i disa analistëve, se LDK-ja, ra nën 12%, si pasojë e drejtpërdrejtë e koalicionit me VV-në, nuk qëndron, por kryesisht si pasojë e gabimeve të njëpasnjëshme, dhe që çoi në një ndarje të re të LDK-së, por e pa shpallur nga brenda saj, siç pat ndodhur në thyerjen e madhe të vitit 2006/2007, si pasojë e procesit të zgjedhjeve të para të fshehta dhe më demokratike, brenda LDK-së dhe të gjitha garave partiake në Kosovë.

Pra, njëkohësisht ky proces brenda LDK-së qe përshkruar me kërkesa për reformim, por që çoi në coptim e fragmentim, si të lidershipit e veçmas të votuesve të sajë. Dhe për herë të dytë fjala reformë më shumë konoton me ndarjen se sa me kërkesën imanente të sajë.

Po ashtu ky grupim i të pakënaqurve me Lumirin dhe disa të tjerë, është përgjegjës, për humbjen e LDK-së në 2019, kur kjo ishte duke udhëhequr sipas sondazheve deri në 3-4 ditët e fundit të fushatës, dhe kjo bëhet më e besueshme, pasi me vetëm 7.5 mijë vota që mund t’ia merrte VV-së apo rreth 11 mijë vota të gjitha partive, do të dilte padiskutueshëm e para, dhe e gjithë rrjedha e ngjarjeve më pastaj do të ishte krejtësisht ndryshe!

Po ashtu PDK-ja për herë të parë, që nga ndarja e LDK-së, nga e para në të gjitha zgjedhjet e mëpastajme, nga zgjedhjet e 2017 me 39 deputetë, ra e treta me 24 deputetë, në zgjedhjet e 2019-ës.

Prandaj, në aspektin cilësor ato zgjedhje shënuan rezultatin më të mirë të LDK-së, që nga ndarja e saj më 2006/2007.

Por, si ndodhi ajo ngjarje (humbja e zgjedhjeve me diferencën e përmendur me vota dhe dallimin me 1.722%, ku pra LDK me vetëm 0.87% më shumë vota mund të dilte e para – në do t’ia merrte VV-së), ende nuk ka informacione të bollshme, për të shpjeguar atë humbje të LDK-së, e cila pas shumë palë zgjedhjesh, e humbte një garë kaq të ngushtë, dhe duke marrë më shumë se 200 mijë vota.

Por, është e qartë se kishte një përpjekje të përbashkët kundër LDK-së, që ajo të mos dilte e para, me Vjosa Osmanin!

Disa shkaqe të tjera të përbashkëta të rezultatit tepër modest të LDK-së, janë:

I.

a. Asnjëri grup nuk bëri përpjekje të mjaftueshme, që ta bind opinionin publik, se Albin Kurti, në marrëveshjen e vitit 2023 Bruksel-Ohër, bëri tradhti kombëtare siç VV-ja e akuzonte Thaçin e Mustafën për marrëveshjet 2013 e 2015.

b. Nuk bëri përpjekje serioze fare që të sqaronte se marrëveshja e 2015 e bërë nga Mustafa, ishte korrigjuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe se vendimi i saj, ishte në përputhje me parashikimin e marrëveshjes, që ajo të vlerësohej nga ky institucion kyç.

c. Ishte vetëm Kujtim Shala, që në disa momente, dhe me kohë, (pas analizave të Enver Hasanit, dhe ndonjërës nga unë, që kur u publikua plani i ashtuquajtur franko-gjerman), e quajti si marrëveshje antikushtetuese dhe tradhti (pasi u pranua nga Kurti), dhe që në disa raste, dhe pak më shumë në fushatë u bën përpjekje nga Lumir Abdigjiku dhe krahu i tij ta bënin këtë. Grupi tjetër ka qenë kryesisht inert. Ndërsa, zëdhënia e LDK-së ka qenë e heshtur për të gjitha akuzat e vazhdueshme, e kryesisht të pabazuara për LDK-në, të bëra nga VV-ja dhe në rrjete sociale nga fryma propaganduese e saj.

d. Asnjëri grup nuk bëri thuajse asnjë përpjekje, çuditërisht as vetë Hoti, që ta shpjegonte se marrëveshja e tij në Shtëpinë e Bardhë e bërë me Serbinë, në prani të presidentit Tramp, ishte shumëherë larg më e pranueshme dhe më e mirë, se ajo që bëri Kurti në Bruksel dhe Ohër.

e. Për deklarimet e rrejshme të Kurtit dhe të VV-së, ka pasur vend dhe ende ka, që ajo parti të paditet për disa vepra penale, si për tradhti kombëtare, dëmtim të qëllimshëm e me paramendim të interesave të shtetit (ju kujtohet se VV-ja, përkatësisht binomi Kurti-Konjufca e patën dorëzuar një akuzë të tillë ndaj Thaçit, për përkrahjen e projektit për ndryshim të kufijve në dëm të shtetit), pastaj për shpifje, orkestrim të shpifjeve ndaj LDK-së, me qëllim të përfitimit të votuesve, gënjim dhe mashtrim të qytetarëve për qëllime përfitimi të votave etj.

Dhe pika kryesore:

II. Asnjëri grupim nuk ka krijuar një platformë mbrojtëse të interesave të Kosovës.

Edhe në këtë pikë ka dallime në shprehje të qëndrimeve.

Grupi i Abdigjikut, dhe vetë ai, edhe në fushatë, dhe madje edhe së fundi, janë shprehur se ata kërkojnë ndryshimin e marrëveshjes së arritur nga Kurti, për shkak të dëmit që i ka sjellë shtetit.

III. Diaspora dhe rreziqet e koalicionit

a. Një favor në këto zgjedhje shkon për Abdigjikun, i cili provoi ta aktivizonte më shumë elektoratin e LDK-së në diasporë, i cili siç dihet masivisht ka qenë me LDK-në. Por, ishte Isa Mustafa, që shkoi aq larg, sa deshi t’i shuante fare degët e LDK-së dhe organizmin atje.

b. Futja në listë për deputetë e Hysen Çekajt, djalit, të njërit prej kryeheronjve të luftës – Sali Çekajt ishte një zgjidhje, që solli jo vetëm vota për LDK-në, por edhe rikthim të një deputeti (nga 19 në 20). Ani pse atij nuk iu dha hapësirë në Kosovë, që të paktën të fliste në disa tubime qendrore, dhe mbase do të mobilizonte më shumë votues.

c. Rezultati i votave me postë, dhe numri i vogël i votuesve që votuan atje, dëshmon se LDK-ja e ka hapësirën më të madhe për ta rritur votën në diasporë, dhe ajo është hambari, nga ku në një palë zgjedhje të ardhshme mund të jetë njëra nga shtyllat për ta përmbysë fitoren e VV-së në zgjedhjet e fundit.

d. Siç tregoi rezultati disa kandidatë të familjeve viktima të dhunës politike, tashmë e kanë humbur besimin dhe nuk po i sjellin vota LDK-së. Kjo mbase ka disa shkaqe, asnjëri krah nuk flet më për viktimat e dhunës politike, që llogariten në së paku mbi 100, sipas vetë zyrtarëve të kësaj partie. Dhe vetë këta kandidatë nuk e morën përsipër, që ta çmontonin propagandën e VV-së, se LDK-ja së bashku me PDK-në, ishin partner të shkatërrimit të Kosovës pas luftës.

e. Asnjëri krah nuk e mori përsipër t’i kundërpërgjigjej VV-së, se akuza për shkatërrimin e Kosovës nga pas lufta (për 20 vjet, akuzë e thënë në mënyrë të vazhdueshme të paktën nga zgjedhjet e 2019-ës), ishte e pavërtetë dhe se me këtë ajo po e akuzonte edhe Rugovën e LDK-në, ani pse kjo ishte viktimë e dhunës politike, kërcënimeve, shantazheve, rrahjeve, plagosjeve dhe vrasjeve të zyrtarëve të saj të lartë dhe aktivistëve.

f. Hyrja në koalicion me VV-në, ka rrezikun e saj, sepse do të legjitimonte tradhtitë apo gabimet e pafalshme të Vetëvendosjes në bisedimet Bruksel-Ohër. Dhe më e rëndësishmja, nëse hyn me VV-në në koalicion qeverisës, a do të jetë ajo dhe ai koalicion, që do të krijojë statutin për vetëqeverisje të serbëve, i cili tashmë ekziston si dokument i krijuar nga BE-ja me miratimin e Albin Kurtit, i cili edhe pse më vonë e ka kundërshtuar, ai e mban barrën që ia ka deleguar atë të drejtë BE-së, duke hequr dorë nga detyrimet kushtetuese (me vendim të Gjykatës Kushtetuese kryeministri i udhëheq bisedimet) si udhëheqës i bisedimeve, që atë ta krijojë Kosova. Po ashtu pas krijimit të atij dokumenti, ai e ka quajtur publikisht si një dokument të mirë, dhe që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Po ashtu në letrën dërguar Këshillit të Evropës në këmbëim të anëtarësimit, së bashku me Osmanin dhe Konjufcën, janë zotuar për zbatimin e atij varianti (mnbase me vlerësimin kushtetues).

g. Hyrja në koalicion me PDK-në? A ka garanci se PDK-ja, që përpos ca kritikave, asnjëherë nuk është shprehur se ajo do të kërkojë rishikimin e Marrëveshjes Ohër-Bruksel, dhe as nuk është dekaruar, se draft-statuti është i papranueshëm dhe se një qeveri e drejtuar nga ajo, nuk do ta pranojë atë, në asnjë mënyrë. Dhe

h. Në një qeverisje me PDK-në, a do të ketë garancione, se kjo parti nuk do të synojë edhe njëherë projektin e pranuar nga Thaçi për korrigjimin e kufijve, në dëm të Kosovës.

Përmbyllje

a. Për ta reformuar LDK-në, pra me sa shihet nuk është vështirë. Por, për ta bërë këtë duhen njerëz të guximshëm, që nuk janë të shantazhuar nga grupet, që e kontrollonin SHIK-un, apo nga grupet që i kontrollon BIA serbe (ish UDB-ja), apo edhe nga SHISH-i i Shqipërisë, nëpërmjet të cilit BIA serbe ushtron një kontroll të dukshëm, veçanërisht në propagandën e Vetëvendosjes.

b. Realizimi i të parës mund të sigurojë një udhëheqësi (lidership), që mund të krijojë dhe ta ndjekë një platformë kombëtare, mbi tabanin e vetë LDK-së, përkatësisht të rugovizmit.

c. Reformimi i LDK-së, apo kërkesat për reforma më shumë asociojnë si thirrje apo tendenca për ndarje të LDK-së. Këtë e ka vërtetuar katërçipërisht, kur ato reforma i udhëhiqte Eqrem Kryeziu, dhe ato u bën varri masiv zgjedhor i LDK-së, duke humbur qindramijëra vota.

d. Thirrjet për reforma apo për rigjallërim të rugovizmit, i cili tani është më esencial se kurrë, në proceset tronditëse në botë, që po paralajmërohen, janë të shëndetshme kur vijnë nga grupe që përmbushin dy kushtet e para, janë të pa shantazhuar dhe të pashtyrë nga interesa të jashtme apo ego personale për pushtet, dhe kanë të konceptuara idetë dhe planet për mbrojtje të Kosovës nga rrënimi i mëtejshëm.


Go to TOP