Kosova drejt zgjedhjeve me dilema të mëdha!
Shkruan: Florim ZEQA
Kjo që po ndodh rreth zgjedhjes së Presidentit është e pafalshme për skenën parlamentare të Kosovës, në veçanti për ata që i kanë fituar zgjedhjet. Megjithatë, kjo nuk i liron nga përgjegjësia as partitë opozitare, pavarësisht numrave në Kuvend, pasi secila parti parlamentare e ka për obligim ndërtimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore. Të gjitha partitë, pa dallim fuqie elektorale, duhet të kontribuojnë njësoj për interesin e shtetit.
Zgjedhje për prolongim të marrjes së përgjegjësive shtetërore
Zgjedhja e Presidentit nuk ka ardhur si befasi apo surprizë politike; ajo ka qenë e ditur prej kohësh dhe e pritshme që do të vijmë në këtë situatë. Prandaj, është dashur të bëhen parapërgatitje politike për gjetjen e një emri konsensual për President të ri të shtetit.
Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e moszgjedhjes së Presidentit është dëm i madh për vendin. Përveç kostos financiare, vendi do të humbë kohën e artë për konsolidim dhe rekuperim të dëmeve të shkaktuara nga zgjedhjet e shpeshta dhe të panevojshme.
Papërgjegjësia e liderëve partiakë, të cilët për inate personale dhe ego të sëmura për pushtet po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve në vend të zgjidhjes, nuk guxon të kalojë pa ndëshkimin e elektoratit kosovar.
Edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka gjasë të kthehemi në të njëjtën pikë, siç u kthyem pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe bllokadës së gjatë për formimin e institucioneve, që do të mund të themeloheshin menjëherë pas certifikimit nga KQZ-ja vitin e kaluar.
Prandaj, kam frikë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke shkaktuar prolongim të procesit të formimit të institucioneve të reja, ndoshta deri në vjeshtën e këtij viti.
Moszgjedhja e Presidentes Osmani edhe për një mandat nuk duket të jetë rastësi. Edhe pse në dukje të parë mendohej se ishte në linjë me kryeministrin Kurti, realiteti dukej ndryshe. Mes tyre ishte krijuar një hendek i thellë, ku secili zhvillonte aktivitete të ndara në politikën e jashtme. Politikat e jashtme nuk mund të bëhen në mënyrë të ndarë, por duhet të jenë në unitet të plotë mes krerëve shtetërorë, që do të thotë se në politikën e jashtme duhet të flitet me një zë të vetëm.
Kosova pa President në mjegullën ndërkombëtare
Situata në të cilën ndodhet Kosova, në një kontekst të pasigurisë ndërkombëtare të shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, nuk e favorizon shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të gjithë liderët, pushtet dhe opozitë, duhet të reflektojnë dhe të ulen për të gjetur një zgjidhje optimale që të evitohet zgjedhja si opsion i parë. Në një kohë kur zhvillimet ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më të pasigurta, ndarjet politike e vështirësojnë aftësinë e Kosovës për t’u përballur me sfidat.
Mosarritja e marrëveshjes ndërpartiake për zgjedhjen e Presidentit konsensual ka hapur dilema të mëdha për stabilitetin politik në vend. Kur kësaj t’i shtohet fakti se asnjëra nga partitë parlamentare, përfshirë edhe partinë fituese, nuk mund ta sigurojë kuorumin e nevojshëm në Kuvend, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten alternativë e vështirë dhe me pasoja.
