Këto janë katër rekomandimet e Amerikës për Ujmanin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka publikuar raportin që Departamenti Amerikan për Energji e ka nxjerrë për menaxhimin e Liqenit të Ujmanit, e që ishte një nga zotimet e Marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë raport, që ka mbi 50 faqe, janë dhënë katër rekomandime se si të rritet siguria e ujit dhe energjisë elektrike në rajon, shkruan Klankosova.tv.

Por, çfarë saktësisht i rekomandon Amerika Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e Liqenit të Ujmanit?

1. Përditësimi i infrastrukturës së ujit.

Implementimi i rekomandimeve të Bankës Botërore për riparimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kanalit të Ibër-Lepencit, duke përfshirë rezervuarin e Mihaliqit, për të rritur sigurinë e sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurinë e ujit në rajon.

2. Implementimi i sistemit të Kontrollit Mbikëqyrës dhe Marrjes të të Dhënave (SCADA) në hidrocentralin e Ujmanit për të rritur të hyrat e centralit energjetik dhe për të mbështetur më tej balancimin e ngarkesës.

Duke përdorur sistemet SCADA përmirësoni infrastrukturën e ujit dhe energjisë në sistemin e Ujmanit. Duke lidhur të dhënat e siguruara dhe kontrollet me sistemin menaxhues të energjisë KOSTT do të ofrohen mundësitë shtesë për KOSTT-in që të balancojë ngarkesën dhe të menaxhojë çmimet rajonale të energjisë elektrike. Për hidrocentralin e Ujmanit parashikimet e kërkesës për energji elektrike, ndër të tjera, do të rrisnin të hyrat duke planifikuar operacionet e energjisë ujore kur çmimet janë të larta.

3. Implementimi i një komisioni për lumin dhe vlerësimi i shërbimeve të lumit.

Eksploroni formimin e një komisioni ose komiteti të Lumit Ibër i cili do të përkrahte akterët rajonalë dhe koordinonte operimet e lumit. Një komision për lumin do të mbështesë diskutimet ndërmjet palëve rreth mundësive për menaxhimin e resurseve të lumit, përfshirë këtu veprimet nga cilado palë që do të afektonte direkt furnizimin me ujë dhe shërbimet e lumit për palën tjetër.

4. Të përmirësohet parashikueshmëria e furnizimit me ujë.

Sistemi i Ujmanit duket se luan rol të ngjashëm me Digën e Grand Couleet në lumin Columbia në Paqësorin Veriperëndimor në ShBA sa i përket kontributit të tij për sistemin e ruajtjes për furnizim sezonal me ujë dhe energjinë ujore, si dhe për shërbimet e kontrollit të përmbytjes – të gjitha të bazuara në kombinimin e parashikimeve të fluksit sezonal dhe afatshkurtër.

Go to TOP