“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës, Rexhep Mehmeti, të enjten është përballur në Gjykatën Themelore të Prishtinës me 24 aktakuzat për korrupsion të cilat janë ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ndaj tij .

24 aktakuzat ndaj akuzuarit Mehmeti, Prokuroria i kishte ngritur gjatë viteve 2022-2023 për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “Marrje ryshfeti”.

Fillimisht në seancën e së enjtes, pasi prokurori Zef Prendrecaj ka lexuar të 24 aktakuzat ndaj Mehmetit, mbrojtësi i tij, avokati Imer Beka tha se aq shumë ka aktakuza Mehmeti sa që çdo ditë i duhet me qenë në gjykatë.

“Veç me ja ba një vendbanim të akuzumit në gjykatë, se përditë e kanë thirr”, deklaroi avokati Beka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para leximit të aktakuzave, gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni tha se pasi që gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda kishin hasur në dukurinë e ngritjes së një numri të madh të aktakuzave ndaj këtij të pandehuri, kishin njoftuar kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama.

Ai tha se më pas gjykata ka vendosur që rasti ndaj Mehmetit të trajtohet si një lëndë e vetme dhe jo 24 lëndë, aq aktakuza sa janë dorëzuar ndaj tij, duke sqaruar se dy aktakuza tjera tashmë janë gjykuar nga Themelorja dhe aktive janë vetëm 24.

Pasi leximit të 24 aktakuzave, i pandehuri Mehmeti përmes avokatit Beka kërkoi që seanca të shtyhet në mënyrë që të mund të përgatiten lidhur me deklarimin e fajësisë, me arsyetimin se në seancën e sotme e kanë të pamundur të deklarohen për shkak të numrit të madh të aktakuzave.

Kjo kërkesë u aprovua nga gjykatësi Arrni pasi që paraprakisht i njëjti mori edhe mendimin e prokurorit Prendrecaj, i cili nuk kundërshtoi një kërkesë të tillë.

Paraprakisht, avokati Beka tha se ka pritur nga ana e Prokurorisë që rastet ndaj të mbrojturit të tij t’i trajtojë si një rast të vetëm dhe se për këtë dukuri kishe vënë në dijeni Prokurorinë dhe Gjykatën dhe se sipas tij vetëm këta të fundit kanë pasur mirëkuptim dhe kanë bashkuar lëndët.

Ndryshe, në 24 aktakuzat e dorëzuara nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Mehmeti ngarkohet për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”nga neni 427, paragrafi 1 dhe “Marrje ryshfeti” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzave, ai akuzohet se në cilësi të ofiqarit të Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, i cili tash gjendet në pension, kishte regjistruar dhe pajisur me dokumente identifikim personat që nuk kanë plotësuar kriteret për t’u pajisur me to.

Mehmeti në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile akuzohet se në vazhdimësi, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, kishte futur në sistem persona të ndryshëm, duke i regjistruar fillimisht si persona të mitur e pastaj ka ndryshuar dhe regjistruar si persona madhor.

Në aktakuza, thuhet se veprimet e të pandehurit Mehmeti kanë ndodhur në kundërshtim me vendimin e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 2020. Ky vendim përcaktonte se zyrtarët në degët e Komunës, nuk kishin të drejtë të regjistronin persona mbi moshën 18 vjeç për herë të parë, për të cilën punë ishin autorizuar zyrtarë tjerë.

Madje, sipas aktakuzave vendimi i MPB-së përcaktonte se askush nuk mund të merrte certifikatë pa qenë vetë prezent, të kishte dokument me foto ose dy dëshmitarë. Sipas aktakuzave, shumica prej këtyre personave, e që janë mbi 100 raste nuk kanë figuruar fare në librin amëz e për disa ka regjistrime fiktive në këtë libër.

Po ashtu, në aktakuza thuhet se përveç ndërrimit të vitit të lindjes, në disa raste ai akuzohet se u kishte mundësuar personave te caktuar ndërrimin dhe vjedhjen e identitetit, duke i regjistruar me emra dhe të dhëna tjera.

Kujtojmë se emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 20 prill 2024 kishte publikuar hulumtimin me titullin “24 aktakuza nga nëntë prokurorë për veprat e njëjta penale, si i arsyeton Prokuroria”, ku tregohej se si ndaj ish-zyrtarit Mehmeti përveç dy aktakuzave për të cilat ishte gjykuar në shkallë të parë, ndaj tij, për lëndën e njëjtë do ngriteshin edhe 24 aktakuza tjera, të cilat i kishin trajtuar nëntë prokurorë. Prokuroria, ndonëse kishte mundësi që këto lëndë t’i bashkonte, rastin nuk e trajtoi se tërësi por të shpërndarë.

Hulumtimi tregon se si prokurorët kanë ngritur aktakuza varësisht nga kallëzimet penale që kishin shkuar në prokurori. Madje, disa prokurorë, kanë ngritur deri në tre aktakuza brenda ditës  për veprimet e njëjta, që zyrtari akuzohet t’i ketë bërë në vazhdimësi.

Go to TOP