Kërpudhat e malit në Kosovë kërkohen edhe për tregun italian

Kërpudhat e malit apo siç njihen në zhargonin e lokal si ‘kërpudha të ujkut’, këtë vit ata që i mbledhin janë ndarë të kënaqur me rendimentet e tyre. Krahasuar me vitet paraprake banorët të cilët merren me mbledhjen e tyre nëpër male thonë se janë të kënaqur në të dy sezonet të daljes së kësaj kërpudhe atë pranverore dhe vjeshtore.

Bekim Maliqi, banor i fshatit Busavat në Komunën e Kamenicës thotë se mbledhjen e kërpudhave e ka filluar që kur ishte fëmijë.

“I kam sjellë kërpudhat, të cilat i kam grumbulluar në pyll. Këto kërpudha të malit njihen me emrin në popullatë si ‘kërpudha e ujkut’. Jam i kënaqur me rendimentin e sivjetmë, por edhe me çmimin që e kanë këtë vit”, shprehet Bekim Maliqi, për emisionit ‘Toka’ në RTK.

Ai thotë se grumbullimin e kërpudhave e ka trashëguar nga familja dhe se që nga mosha 10 vjeçare ka mësuar nga familja të dallojë se cilat kërpudha  janë helmuese e cilat ushqyese.

“Aktualisht si familje mbledhim kërpudha 15 persona. Këtë vit sezoni i vjeshtës është më e mirë, krahasuar me vitin e kaluar. I vetëm arrij të mbledhë deri 20 kilogramë kërpudha në ditë”, thotë Maliqi

Se ky sezon i vjeshtës ishte më e mirë, sesa ai pranverës dhe më e mira në tri vitet e fundit, e thotë edhe Fatime Krasniqi, menaxhere e prodhimit në pikën grumbulluese-përpunuese të kërpudhave në Kamenicë.

“Sezona e vjeshtës ka qenë shumë më e mirë se e pranverës, sa i përket kërpudhave të malit, madje në përgjithësi ky sezon i vjeshtës është më i mirë në 3 vitet e fundit”, thotë Krasniqi për emisionit ‘Toka’ në RTK.

Në sezonin e vjeshtës kërpudhat e malit, që më së shumti grumbullohet, është ajo e njohur në popull me emrin ‘kërpudha e ujkut’, derisa në pranverë gjendet edhe ajo e njohur në popull me emrin ‘kërpudha e dhelprës’. 

“Në përgjithësi mbledhja e kërpudhave vlerësohet si një veprimtari profitabile edhe për qytetarët por edhe për kompanitë që merren me grumbullim dhe përpunim”, shprehet Krasniqi.

Ajo thotë se 90 për qind e kërpudhave të malit, të vjela në Kosovë, tregtohen në pikën grumbulluese të tyre. 

“Shitja e tyre, pothuajse 100 për qind kryhet në Evropë. Kërkesa më e madhe është për tregun italian. Arsye është cilësia e lartë e kërpudhave të malit që rriten në vendit tonë”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, krahas grumbullimit të kërpudhës së malit kjo kompani (‘Fungo shpk’) merret edhe me prodhimin e ‘kërpudhës shampinjon’, që ka për destinim tregun vendor.

Ajo thotë se procesi nga vendosja e humusit të saj deri në vjelje mund të zgjasë rreth dy muaj.

“Nga 1200 thasë humus të vendosura vetëm në njërën hapësirë të kultivimit, mesatarisht prodhohen 5 deri në 6 mijë kilogram kërpudha”, thotë ajo.

Krasniqi thotë se përveç humusit, kultivimi i ‘kërpudhës shampinjon’ kërkon ujitje dhe  temperaturë të caktuar.

“Ato dallojnë varësisht zhvillimit të bimës. Për shkak të vlerave ushqyese dhe shëndetësore që kanë, konsumimi i kërpudhave në botë është duke u rritur çdo herë e më shumë. Ato nuk përmbajnë yndyrëra derisa janë të pasura me elemente të shumta të cilat janë të nevojshme për organizmin e njeriut”, thotë Krasniqi.  

Krahas shtimit të kërkesave për kërpudha në glob, kërkesat për këtë bimë, Fatmir Krasniqi bashkëpronar i Kompanisë që merret me grumbullim përpunim dhe prodhim të kërpudhave ‘Fungo shpk’, thotë se po shtohet edhe në vendin tonë, sidomos 2 vitet e fundit.

“Në vendin tonë rriten rreth 500 lloje të kërpudhave, ato ndahen në ushqyese, jo ushqyese dhe helmuese. Megjithatë në vendin tonë ekziston një vetëdije më e lartë se në rajon. Përparësi për cilësi të lartë dhe sasi të madhe të kërpudhave në vendin tonë është edhe ndotja jo e lartë në krahasim me shtetet e Evropës të cilat kanë industri të zhvilluar”, thotë Krasniqi për emisionit ‘Toka’ në RTK.

Ai thotë se kur janë sezonet e mira të kërpudhës si kompani mund të eksportojnë brenda vitit deri 1 mijë tonë kërpudha të malit jashtë vendit, derisa i tërë vendi  mund të eksportojë deri 4 mijë tonë.

Ndërkaq, sipas tij, krahas grumbullimit të kërpudhës së malit, kjo kompani brenda vitit prodhon rreth 100 tonë ‘kërpudha shampinjon’, të cilat të freskëta destinohen në tregun vendor.

Go to TOP