AKB përfaqësoi komunitetin e biznesit të Kosovës në Debatin e Nivelit të Lartë të EESC-së për zgjerimin e BE-së

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), si organizata e vetme e punëdhënësve nga Kosova e përfaqësuar në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), mori pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të mbajtur në Bruksel.

AKB u përfaqësua nga drejtoresha e saj, Lumnije Ajdini, njëherësh Anëtare Kandidate për Zgjerim në EESC. Sipas AKB-së, kjo pjesëmarrje dëshmon rolin e organizatës si zëri përfaqësues i komunitetit të biznesit të Kosovës në institucionet evropiane dhe angazhimin e saj për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Në debat morën pjesë Presidenti i EESC-së, Séamus Boland, Komisionsrja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate, organizatave të punëdhënësve, partnerëve socialë dhe shoqërisë civile.

Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me zgjerimin e BE-së, forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike të vendeve kandidate me Bashkimin Evropian.

AKB theksoi se do të vazhdojë të përfaqësojë interesat e bizneseve kosovare në institucionet evropiane duke kontribuar në forcimin e dialogut social dhe përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Kosova.info/

Go to TOP