“Mafia farmaceutike”, Zemaj akuzon ministrin Vitia e ish-kreun e Odës së Farmacistëve për favorizimin e barnave të shtrenjta
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka akuzuar Arianit Jakupin, ish-drejtuesin e Odës së Farmacistëve të Kosovës, se ka vepruar si konsultant i jashtëm i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, dhe ka ndihmuar në hartimin e Listës Esenciale të Barnave, duke favorizuar barna të shtrenjta dhe duke eliminuar ato që mund të kishin ndihmuar më shumë qytetarët.
Ai ka akuzuar Jakupin dhe grupin e tij për krijimin e një monopoli në tregun farmaceutik, duke dëmtuar financat publike dhe përfituar vetë dhe kompanitë e lidhura me të.
Zemaj ka theksuar se ky veprim ka pasur implikime të drejtpërdrejta, duke përmendur se pas funksionit si konsulent, Jakupi ka kaluar në një kompani që ka fituar mbi 30 milionë euro tendera nga Ministria e Shëndetësisë.
Ai ka kërkuar qasje në dokumente publike, ndërsa ka theksuar se disa informacione janë fshehur.
“Më ka dalë goja jashtë veshi duke folur se kush është ai, edhe cila është lidhja e tyre me mafien farmaceutike, edhe me implikimet e tyre të drejtpërdrejta në dëmtimin e buxhetit të ministrisë së Shëndetësisë duke imponuar barna të shtrenjta dhe duke eliminuar barnat të cilat do të ndihmonin që të blinin me shumicë dhe do të ndihmonin më shumë qytetarëve pacienteve tanë, ndërsa këta në vazhdimësi kanë punuar një lloj monopoli për disa lloje të barnave”, ka thënë ai.
“Në vazhdimësi nga fillimi i mandati kanë punuar në mënyrën më të turpshme dhe më të ulët për të dëmtuar buxhetin e shëndetësisë edhe duke përfituar vetë dhe kompanitë e tyre. Unë kam paraqitura faktet dhe kam kërkuar qasje ne dokumente publike, disa i kanë fshehur. Ky person ka qenë konsulent edhe në shpërndarjen e barnave nga lista esenciale që nënkupton që ky është implikim i drejtpërdrejt, ndërsa menjëherë ka shkuar në një kompani që i ka fituar më shumë se 30 milionë euro tendera në ministrinë e shëndetësisë”, ka deklaruar tutje Zemaj.
Edhe deputetja Hykmete Bajrami ka deklaruar se Jakupi ka ndihmuar kabinetin e Vitisë për përfitime personale të të dyja palëve.
“Arianit Jakupi i cili e ka udhëheqë Odën e Farmacisteve të Kosovës ka qenë si konsultë i jashtëm i paguar prej Bankës Botërore dhe i ka ndihmuar kabinetit të Arben Vitisë në Listë Esenciale dhe ka qenë në plotë komisione tjera, dhe këtë e kanë thënë deputetë në Kuvendin e Kosvës, përfshirë edhe Armend Zemajn, mund ta dëshmoj një gjë të tillë”, ka deklaruar Bajrami.