ATK mirëpret 20 praktikantet në departamentin e Teknologjisë Informative
Administrata Tatimore e Kosovës ka mirëpritur sot 20 praktikantë të rinj, të cilët do t’i bashkohen Departamentit të Teknologjisë Informative duke shënuar një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e transformimit digjital të institucionit.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, i uroi praktikantët për fillimin e këtij angazhimi dhe i inkurajoi me fjalët: “Duke punuar me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet, jo vetëm që do të ndërtoni një bazë të fortë për karrierën tuaj, por do të jepni edhe një kontribut të vlefshëm në transformimin digjital te institucionit tonë. ATK do të vazhdojë të mbështesë dhe të krijojë mundësi për të rinjtë që synojnë të zhvillohen profesionalisht. Ju falënderoj për besimin dhe ju uroj shumë suksese gjatë punës praktike, si dhe në rrugëtimin tuaj të ardhshëm profesional.”
Praktikantët e rinj do të kenë mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale duke punuar së bashku me ekspertët e Departamentit të Teknologjisë Informative, ndërsa ATK do të përfitojë nga energjia, kreativiteti dhe idetë e reja që ata sjellin.
Transformimi digjital mbetet një nga prioritetet strategjike të ATK-së. Përmes zhvillimit dhe implementimit të zgjidhjeve inovative teknologjike, institucioni synon të modernizojë proceset e administrimit tatimor, të thjeshtojë procedurat administrative dhe të rrisë efikasitetin e shërbimeve duke krijuar një përvojë më të lehtë dhe më të shpejtë për tatimpaguesit.
ATK do të vazhdojë të investojë në teknologji, profesionalizëm dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit, me synimin që të jetë një institucion modern, inovativ dhe i gatshëm për sfidat e së ardhmes. /Kosova.info/
