Kosova

Ish-gjyqtarit që raportoi për skandalet në EULEX i ndalohet dëshmia në Speciale

Dëshminë e tij me pretendime për keqpërdorime të EULEX-it e dha në Kuvendin e Kosovës. Por, një gjë të tillë ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons nuk do të mund ta bëjë edhe në Gjykatën Speciale.

Trupi gjykues në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ka refuzuar propozimin e avokatëve që Simmons të jetë dëshmitar.

Vendimi u dha nga kryegjyqtari Charles Smith me arsyetimin se ky dëshmitar nuk ka ndonjë ndërlidhje me çështjen që po hetohet.

Në këtë formë u shmang edhe ballafaqimi Charles Smith-Malcolm Simmons që dikur ishin kolegë në EULEX. Kjo pasi pikërisht gjyqtarin aktual të Speciales në rastin ndaj Gucatit e Haradinajt, Malcolm Simmons e akuzonte për ndërhyrje e presione në procese gjyqësore sa punonin në EULEX.

Vendimi i Gjykatës u zyrtarizua edhe pas kundërshtimeve nga Prokuroria që Simmons të ftohet si dëshmitar.

“Mbrojtja synon ta ftojë dikënd që dëshmoi në Kuvendin e Kosovës. Ky trup gjykues nuk ndërlidhet me Parlamentin. Kjo sallë gjyqi nuk është forum që ai të shprehë shqetësimet e tij. Deklaratat e tij me ankesa e kritika për EULEX-in, nuk lidhen me punën e sotme në Speciale. Deklarata e tij jep qëndrime të pabaza për Dhomat e Specializuara”, tha James Pache nga ZPS.

Avokatët arsyetuan pse Simmons duhet të ftohet.

“Ne kemi treguar se këta dëshmitarë kanë interes publik. Deklaratat e tyre janë të rëndësishme, dhe nuk mendoj që kjo temë duhet të vazhdojë”, deklaroi avokati i Nasim Haradinajt.

Avokati i Hysni Gucatit pati një tjetër.

“Prokuroria ka kërkuar të bëjë pyetje për Gucatin për 10 orë. Kjo është e cuditshme”, u shpreh Jonathan Rees.

Në këtë seancë është bërë e ditur se Policia ka dërguar garancinë për zbatimin e arrestit shtëpiak, dhe ky dokument pritet të përkthehet për palët.

Fjalët hyrëse të mbrojtjes për këtë proces do të jepen të premten.

Shfaq më shumë