Hoti: Fle mbi qymyr, por importojmë qymyr

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se kontrata e ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli” me KEK-un nuk është aktive dhe punëtorët e saj janë pa të ardhura.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka shtruar disa pyetje rreth qymyrit, se pse duhet bizneset që të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga vendet tjera.

“Kontrata e kësaj ndërmarrje me KEK-un nuk është aktive. Punëtorët e saj janë pa të ardhura. Sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë. Së paku 6 milion euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga “Kosova Thëngjilli”. Për kur po e ruajmë qymyrin? Çfarë strategjie është kjo? Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera? Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?”, ka shkruar ai.

Sipas tij, flemë mbi qymyr, por importojmë qymyr.

“Fle mbi qymyr, por importojmë qymyr. Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, ka përfunduar Hoti

Go to TOP