Haradinaj: Kurti po bën lojë të rrezikshme për Asociacionin

Veprimet e kryeministrit Kurti kanë shpëtuar Serbinë nga mbajtja e përgjegjësisë për sulmin në Banjskë dhe nga lidhjet e ngushta me regjimin e Putinit, deklaroi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke kritikuar ashpër Kurtin.

“Serbia ka kryer shumë veprime destabilizuese, por nuk është ndëshkuar, dhe për këtë fajin e mban Kurti. Politikisht, Kurti është i paqartë, nuk kupton strategjinë gjeopolitike, është vizionar i shkurtër, ose ndjek agjenda të huaja. Veprimet e tij kanë lehtësuar Serbinë nga përgjegjësia për sulmin e Banjskës, për afërsinë me regjimin e Putinit dhe për padrejtësitë e vazhdueshme ndaj Kosovës. Serbia merr vendime për Kosovën përmes akteve të saj ligjore, dhe këtë e bën falë ndihmës së Kurtit, që e pozicionon Kosovën aq keq sa ata nuk përballen me sanksione,” u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, Kurti ka pranuar një draft të dëmshëm për Asociacionin dhe po zhvillon lojëra të rrezikshme me ndërkombëtarët.

“SHBA dhe aleatët e BE-së i kanë ofruar Kurtit një draft për të mbrojtur Kosovën nga pasojat e Asociacionit, por Kurti ka zgjedhur të ndjekë rrugën e tij. Ai ka pranuar privatisht draftin e BE-së dhe e ka lavdëruar, ndërkohë që opozita ishte e para që shprehu shqetësim për këtë draft. Kurti po bën lojë të rrezikshme, duke ndryshuar qëndrimet e tij për të fituar vota,” shtoi Haradinaj.

Në rast se AAK do të vijë në qeveri, Haradinaj thotë se dy janë opsionet: një draft i ri për Asociacionin, ose dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Haradinaj cilësoi raportin e progresit të BE-së si lajmin më të keq, për shkak se nuk adreson heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Raporti i progresit të BE-së është një vendnumërim, nuk ka asnjë ndryshim nga e kaluara dhe nuk trajton heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës. Përderisa BE-ja nuk heq këto sanksione, jemi në një gjendje të ngjashme me sanksionet që i vendosen Rusisë apo vendeve armike. Qeveritarët mundohen ta mbulojnë këtë fakt, por mos harroni që jemi nën sanksione,” përfundoi Haradinaj.

Go to TOP