GKK-ja prezanton programin për 2023: Çmimi “Muslim Mulliqi” – ekspozita e parë

Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar programin për vitin 2023 gjatë të cilit do të prezantojë ekspozita e projekte të ndryshme që sjellin perspektiva e analiza të veçanta të realitetit përmes një game të gjerë mediumesh duke përfshirë – instalacione, pikturë, performanca, skulptura, publikime, dhe një seri e programeve publike, edukative e hulumtuese.

Janë mbi shtatë ekspozita të komisionuara nga GKK-ja për artistë të cilët realizojnë ekspozitat e tyre personale për herë të parë në institucion, njofton Klan Kosova

Ekspozita e parë e planifikuar për këtë vit është edicioni i XIV i bienales ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi.”

Më poshtë mund ta lexoni plan-programin e plotë të GKK-së për vitin 2023:

Ekspozitat retrospektive të artisteve Violeta Xhaferi, dhe Lumturi Blloshmi do t’i mundësojnë vizitorëve të njohin më mirë opusin e këtyre artisteve duke kuptuar praktikën e tyre artistike krahas ndikimit të kontekstit politik dhe social mbi të cilin ato kanë reflektuar. Njëkohësisht, këto projekte kanë për qëllim të ri-pozicionojë veprën dhe jetën e këtyre artisteve në kontekstin e historive të artit kombëtar dhe ndërkombëtarë. Po ashtu, këtë vit do të filloj hulumtimi i veprës së arkitektit dhe artistit Agush Beqiri për ekspozitën personale e cila planifikohet të organizohet në fillimin e vitit 2024. Ekspozitat personale të kolektivit Haveit, Leart Ramës, Dardan Zhegrovës ndër të tjera do të prezantojnë një seri veprash të veçantë e provokuese që përmbysin nocionet tradicionale të gjinisë, seksualitetit, identitetit, dhe natyrës se njeriut. Instalacionet nga artisti Zgjim Zyba dhe artistja Abi Shehu, si dhe projekti i artistes dhe kuratores Blerta Hoçia do të organizohen në hapësira publike jashtë galerisë sjellin një qasje të hapur të galerisë rreth hapësirave alternative duke trajtuar ndjenja e përkatësisë dhe komunitetit. Ekspozita të tjera përfshijnë artistin Genc Kadriu, Fatmir Mustafa-Karllo, Bekim Zeqiri, dhe ekspozitat grupore të Asociacioni i Artistëve Vizuel, dhe ajo e kuruar nga Shkelqim Qestaj.

Krahas ekspozitave, rol të theksuar do të kenë projekte që kontribuojnë në fushën e edukimit përmes iniciativave hulumtuese, botimeve, diskutimeve e ligjëratave publike. Kuratoret Erëmirë Krasniqi dhe Merve Elveren do të trajtojnë temën e identitetit kombëtar dhe praktikat feministe duke analizuar punën e katër artistëve gra nga Turqia dhe Kosova. Në bashkëpunim me galerinë, Fondacioni Shtatëmbëdhjetë në kuadër të Education+ do të organizojë hapësira sociale reflektuese, të cilat zhvillohen krahas nevojave të skenës së pavarur dhe audiencës së gjerë. Kurse kolektivi Lirindja do të hulumtojnë mbi mundësi për të zhvilluar strukturën e indeksimit të Koleksionit dhe hapjes së institucionit duke ofruar informata sa më të detajuara të qasshme online. Palimpsestet e të Sotmes: Historia e Imazhit Lëvizës, projekt nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada do të identifikojë praktika artistike eksperimentale të imazhit lëvizës duke prezantuar një narrative alternative të historisë së Kosovës në 40-të vitet e fundit.

Projektet e përzgjedhura nga thirrja e hapur, kanë për qëllim të reflektojnë gjithë përfshirje dhe vë në pah potencialin e artit e kulturës për edukim dhe emancipim shoqëror. Dyfishimi i buxhetit total të GKK-së për vitin që po vjen, 64.8%, prej 226,247 ne 376,247, ka mundësuar zgjerimin e programit dhe rritjen e mbështetjes për artistët e rinj krahas atyre që tashmë kanë një karrierë të bujshme artistike. Menaxhimi i një numri më të madh projektesh se vitet e kaluara vjen si rrjedhojë e ndryshimeve strukturore që galeria ka ndërmarrë gjatë vitit 2022 me Këshillin e ri Drejtues i përbërë nga Renea Behluli, Agron Blakqori, Guri Çavdërbasha, Linda Gusia, Arlinda Hajrullahu, Artrit Salihu, dhe Somer Spat. E drejtuar tash e tre muaj nga U.D Drejtoresha, Alisa Gojani-Berisha, ekipit të GKK-së i është bashkuar rishtazi edhe Hana Halilaj, Kuratore, Vlora Hajdini, Koordinatore e Programit të Edukimit dhe Hulumtimit, dhe Shkamb Jaka, Koordinator i Komunikimit. Po ashtu, galeria është në proces të avansimeve të brendshme që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucionit.

Go to TOP