Fadil Hadergjonaj zgjidhet deputet i LDK-së: Besimi i qytetarëve është nder dhe përgjegjësi e madhe

Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Fadil Hadergjonaj ka konfirmuar se është zgjedhur deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në një mesazh drejtuar familjarëve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe votuesve të LDK-së nga Kosova dhe mërgata, Hadergjonaj ka bërë të ditur se, mbi bazën e rezultateve përfundimtare, ai do të jetë njëri nga 15 deputetët e kësaj partie në legjislaturën e re, falë besimit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë dhe demokratike.

Ai ka shprehur mirënjohje të thellë për qytetarinë, pjekurinë dhe kulturën demokratike të treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor duke e vlerësuar atë si një dëshmi të standardeve demokratike në vend.

Hadergjonaj ka falënderuar veçanërisht të gjithë mekanizmat e angazhuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, komisionarët, vëzhguesit, monitoruesit, Policinë e Kosovës, si dhe vetë qytetarët, të cilët, sipas tij, me emancipimin dhe përgjegjësinë e tyre garantuan një proces të lirë, të rregullt dhe thellësisht demokratik.

“Falënderoj nga zemra të gjithë mbështetësit dhe votuesit e LDK-së, e në veçanti ata që për herë të dytë më besuan votën e tyre për të qenë zëri dhe përfaqësuesi i tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky besim është një nder i jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht një përgjegjësi e madhe morale dhe institucionale”, ka theksuar ai.

Deputeti i zgjedhur ka zotuar se do të angazhohet me përkushtim maksimal në shërbim të qytetarëve duke vënë në dispozicion përvojën dhe kapacitetin e tij profesional, mbi parimet e ligjshmërisë, integritetit personal dhe etikës institucionale.

Ai ka theksuar se angazhimi i tij do të jetë i orientuar drejt përmirësimit të jetës dhe sigurisë së qytetarëve, si dhe në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe interesave strategjike të Republikës së Kosovës, të fituara me shumë mund, sakrificë dhe gjak.

Në fund, Hadergjonaj ka shprehur respekt dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata që e mbështetën në këtë rrugëtim politik. /Kosova.info/


Go to TOP