Prestreshi: LDK-ja duhet mbrojtur nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm për t’u ringritur fuqishëm

Aktivisti Valon Prestreshi ka bërë thirrje për mbrojtjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga, siç i quan ai, armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm duke theksuar se kjo parti përfaqëson shtëpinë politike, trashëgiminë kombëtare dhe shtyllën morale të shtetit të Kosovës.

Në një reagim publik, Prestreshi ka vlerësuar se LDK-ja duhet të mbrohet me çdo mjet dhe në çdo formë, në mënyrë që të ruhet identiteti dhe roli i saj historik në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Vetëm kur t’i vendosim mburojat mbrojtëse rreth LDK-së, kur ta sigurojmë, ta pastrojmë dhe ta rikthejmë në themelet e saj të vërteta, do të mund të fillojmë etapën e madhe që na pret: bashkimin, rikthimin dhe ringritjen”, ka deklaruar ai.

Prestreshi ka theksuar se LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një ideal dhe një besë duke e lidhur drejtpërdrejt identitetin e saj me lirinë dhe trashëgiminë politike të ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“LDK është ideal, është besë, është emri i lirisë, është emri i Rugovës”, ka përfunduar Prestreshi duke nënvizuar domosdoshmërinë e unitetit dhe rikthimit të vlerave themelore të partisë. /Kosova.info/


Go to TOP