Petkoviç e quan Hajrulla Çekun ‘ministri më ekstremist i Kurtit’

I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka reaguar ndaj ministrit kosovar të kulturës, Hajrulla Çekut, duke e quajtur këtë të fundit “ekstremist” pasi ai lajmëroi ditëve të fundit në një intervistë në Pressing se renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës ndonëse është pezulluar, ajo do të bëhet.

Duke folur për televizioni propagandistik serb, Pink Tv, Petkoviç iu kthye narracionit se Xhafev Deva ka qenë “kollaboracionist i nazistëve” i cili, “ka dërguar shumë serbë nëpër kampe përqendrimi”.
“Njëri nga ministrat më ekstremistë të Albin Kurtit thotë se nuk do të ndalojë rinovimin e shtëpisë së Xhafer Devës, i cili ishte nazist dhe përndjeku serbë dhe popullin tonë, e dërgoi edhe shumë njerëz nëpër kampe. Ne i reaguma Prishtinës për rindërtim të shtëpisë, por në fakt rinim i ideve naziste. OKB dhe BE reaguan dhe u pezullua, dhe tani [Hajrulla] Çeku thotë se do ta vazhdojnë. A është në rregull të vazhdohet ajo dhe mua të më ndalojnë të shkojë në kishë”, ka thënë Petar Petkoviç.

Por, çfarë ka thënë së fundi ministri kosovar i kulturës Çeku?

Çeku tha se i tërë projekti për restaurimin e shtëpisë së Devës mori “drejtim të paparashikueshëm” nga një tweet i bërë nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorg Rohde, që Çeku e vlerësoi “goxho të pamatur”.

Rohde i cili e shihte si “shpërfytyrim të historisë” dhe ia dha kahjen e kinse rehabilitimit të figurës së Xhafer Devës si kolaboracionist nazist, e kështu me radhë, për Çekun një gjë e tillë ishte e “shumë e ngutshme, shumë e pasaktë, por edhe shumë e padrejtë në fund të ditës” si dhe, siç tha ai, “tejet e dëmshme për vendin tonë”.

“Kështu që ne jemi detyruar sepse kemi qenë në partneritet me BE-në dhe UNDP-në. Për momentin është pezulluar, ngase kemi pasur nevojë ta sqarojmë këtë situatë; kemi pasur edhe shumë presione ndërkombëtare, nga qarqe të ndryshme”.

Ministri tha se pas situatës që u krijua nga reagimet, problem i madh ishte “menaxhimi i krizës dhe pasqyrimi që iu bë edhe në mediat ndërkombëtare, ku ne u portretizuam si anti-semit, si popull kolaboracionist me nazizmin”.

“Në ditët më të nxehta, kur na kanë ardhur sulme nga e krejt bota, unë kam provu me kundërshtu atë narracion. Kam thanë që kjo punë ka me vazhdu. Ndoshta do të merr edhe pak kohë. Sepse qëllimi im është që me këta partnerë që e kemi nis, me ata edhe me e kry”.

“Sepse nëse tërhiqen këta, atëherë edhe e legjitimojnë atë narrativën që nisi ambasadori gjerman. Unë dua të sigurohem që bashkë me ta, të sigurohem që t’i shkojmë deri në fund. Madje unë kam propozuar që kur të përfundojë, në hapësirat e kësaj shtëpie me e shndërru në qendër të dokumentimit të WW2. E aty le të bëhet edhe studimi i figurës së Xhafer Devës”, tha Hajrulla Çeku në Pressing, shkruan Reporteri.net.

Çfarë kishte thënë ambasadori gjerman?

“Mos e shpërfytyroni të vërtetën për Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë. Por, mbroni faktet”, kishte shkruar Rhode në Twitter.

Ai shkroi se Xhafer Deva ishte “një bashkëpunuesi/protagonisti të njohur me nazistët i grupit famëkeq SS Skanderbeg”, dhe se nuk duhet të “shpërfytyrohet historia”.

Ambasdadori gjerman në Kosovë gjithashtu shprehej se “kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të jetë mundësi për t’u përballur me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë”.

Rhode u shpreh se ambasda gjermane është e gatshme të mbështesë cilëndo qasje “të arsyeshme” për të ruajtur kulturën e kujtesës në Kosovë.

Bashkimi Evropian në një komunikatë të përbashkët për media me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kishin bërë të ditur se janë tërhequr nga renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë kështu duke “kërkuar falje për çfarëdo ofendim të paqëllimshëm”.

Në reagimin e përbashkët mes tjerash thuhej se synimi i projektit ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribuojë në kohezionin social duke përdorur trashëgimin kulturore si një instrument për dialogun ndërmjet komuniteteve.

“UNDP dhe Bashkimi Evropian dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tij, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Si e kishte kundërshtuar Çeku?

Çeku ishte shprehur i qartë se këso argumentimesh nuk qëndronin.

“Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, kishte argumentuar në një shkrim në Facebook.

“Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhe pse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht”, ka shtuar Çeku, përcjell Reporteri.net.

“Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët. Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët”.

Ai ka theksuar se “detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona”.

“Ministria e Kulturës është duke investuar në gjithë trashëgiminë tonë kulturore, pa dallim, përfshi xhami e monumente islame, kisha ortodokse, kisha katolike, shtëpi tradicionale, lokalitete arkeologjike, trashëgimi shpirtërore, muze, ndërtesa publike dhe të tjera”.

“Dhe për fund, duhet thënë hapur që ndihma e shteteve mike të Kosovës në betejën tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore është jetike. Prandaj, u bëj thirrje që sikurse në të kaluarën, të na qëndrojnë pranë edhe më tej”, ka përfunduar Çeku.

Go to TOP