Borrell: U hodh hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka vlerësuar se pajtimi i së martës në Bruksel ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, është hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve që të dyja vendet kanë dhënë në Ohër.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. BE-ja pret që dyja palët të respektojnë gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim të mundshëm. Përkthimi i përkushtimeve në rrugët e tyre evropiane po vazhdon”, ka shkruar Borrell në “Twitter”.

“Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë në nivel të liderëve në takimin e radhës të cilën do ta organizoj”, ka shkruar tutje Borrell.

Reagimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së vjen pas takimit të djeshëm të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Go to TOP