Bajrami: Njohja nga Kenia, rezultat i angazhimit të Pacollit, jo i Qeverisë Kurti
Nënkryetarja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas lajmit për njohjen e Kosovës nga Kenia, duke theksuar se kjo arritje nuk është meritë e Qeverisë Kurti, por rezultat i punës së ish-presidentit dhe ish-ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Bajrami ka vënë në dukje se gjatë një mandati të plotë të qeverisë aktuale, nga 22 marsi 2021 deri më 22 mars 2025, asnjë shtet nuk ka njohur Kosovën.
“Sot, njohja nga Kenia vjen si rezultat i angazhimit të z. Behgjet Pacolli. Faleminderit për punën dhe kontributin tuaj!” ka shkruar ajo duke e konsideruar këtë një dëshmi të rëndësisë së diplomacisë aktive dhe individuale në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kjo deklaratë vjen mes kritikave të opozitës për qasjen e qeverisë në politikën e jashtme dhe ngecjen në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën. /Kosova.info/
