Arsyetimi i Themelores për lirimin e tre-ish drejtuesve të PTK-së nga akuzat për korrupsion

Tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, më 21 shtator të këtij viti, për herë të dytë, u liruan nga Gjykata Themelore në Prishtinë nga akuzat për korrupsion.

Në arsyetimin e aktgjykimit lirues për rastin e njohur si “Posta”, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Lutfi Shala ka gjetur se veprimet e tre të lartpërmendurve nuk përbëjnë vepër penale.

Aty thuhet se trupi gjykues nuk gjeti prova me të cilat do të vërtetohej se Mustafa, Qerimi e Gjonbalaj kanë kryer veprën penale.

“Pas procedimit të provave personale dhe materiale dhe pas vlerësimit të tyre një nga një dhe duke i ndërlidhur reciprokisht njëra me tjetrën në kuptim të nenit 361, par.1 dhe 2 të KPPRK-së, ky trup gjykues nuk gjeti prova me të cilat mund të mbështetet dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit Qerimi, Mustafa dhe Gjonbalaj, të kenë kryer veprën penale për të cilën i ngarkon akuza”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Në aktgjykimin e siguruar  thuhet se të gjitha provat e prokurorisë me të cilat pretendon se të njëjtit nga shkurti i vitit 2012 e deri në shkurt të vitit 2015 nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me dashje që t’i shkaktojnë dëm të dëmtuarës PTK, nuk kanë kurrfarë relevance as fuqi provuese për vërtetimin e pretendimeve të aktakuzës.

Gjykata ka vlerësuar se prokuroria në asnjërën nga provat e propozuara në aktakuzë dhe të administruara në shqyrtimin gjyqësor, nuk ka precizuar se cilat fakte pretendon t’i vërtetojë përmes të njëjtave, si dhe nuk ka përcaktuar veprimet konkrete dhe dëmin e të lartpërmendurve në periudhat kur ata kanë qenë në pozita zyrtare.

Tutje, trupi gjykues ka vlerësuar se përderisa bashkëkontraktuesit, PTK dhe Dardafone.net (Z-Mobile) kishin parashikuar që në rast të mosmarrëveshjeve lidhur me kuptimin dhe sferën e dispozitave kontraktuese, t’i drejtohen gjykatës kompetente në Kosovë apo asaj të Arbitrazhit Ndërkombëtar, e cila edhe ka ndodhur, për gjykatën nuk paraqet asnjë element të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Përkundrazi, këto veprime janë marrë në harmoni me kushtet e parapara në kontratë për zgjidhjen e kontestit mes palëve kontraktuese, në një raport juridiko-civil (provë: Vendimi i GJNA, me nr. 20990/MHM1 I dt:09.12.2016)”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Për më tepër, gjatë analizimit të të gjitha provave personale të paraqitura në aktakuzë dhe të administruara në shqyrtimin gjyqësor e duke i ndërlidhur edhe me provat materiale, trupi gjykues ka vlerësuar se të gjithë dëshmitarët vetëm se konfirmojnë një raport juridiko-civil në mes palëve dhe asgjë më shumë.

“Vlerësimi i trupit gjykues është se roli i mbrojtjes i së drejtës penale në këtë rast është i karakterit supsidiar, çka do të thotë se e drejta penale i mbron vetëm ato vlera që nuk janë të mbrojtura me degët tjera të drejtësisë, në këtë rast mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale mbrohet nga ligji për marrëdhënie detyrimore, dhe mospërmbushja e obligimeve kontraktuale në asnjë variant nuk mund të merr karakter penal”, thuhet në aktgjykim.

Lidhur me vonesat në liferimin e sim-kartelave, trupi gjykues ka gjetur se ky pretendim i prokurorisë nuk ka mbështetje në provat e administruara dhe se ky veprim nuk ka qenë veprim i drejtuar me qëllim të shkaktimit të dëmit.

Kjo për faktin se sipas gjykatës, deklarimet e dëshmitarëve në seancën e shqyrtimit gjyqësor si dhe deklarimet e palëve ndërgjygjëse në arbitrazh kanë qenë me pretendimet se i kanë përmbushur obligimet sipas MSA-së dhe brenda mundësive i kanë zbatuar obligimet kontraktuake.

Tutje, gjykata ka gjetur se furnizimi me bllokun e numeracionit nuk ka mundur të jetë veprim i Qerimit, dhe as i PTK-së, sepse sipas saj menaxhimin me Planin kombëtar të numeracionit të telefonisë si dhe furnizimi i operatorëve telefonik me pjesë të tij si “bllok numeracioni”, është veprim ekskluziv i rezervuar me Ligjin e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ARKEP).

“I cili veprim ka të bëjë me Ligjin mbi Komunikimet Elektronike, në bazë të së cilit AKREP ka nxjerrë Vendimin nr. 381, i cili edhe pse është konsideruar i kundërligjshëm, i njëjti është realizua duke i marrë PTK bllokun e numeracionit prej 100.000 numrave që ishte resurs numerik i saj, dhe ky fakt vërtetohet nga provat personale si deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në të.

Lidhur me Agron Mustafën, në aktgjykim thuhet se nga dëshmitarët e dëgjuar është vërtetuar se i njëjti në pozitën e kryeshefit ishte përpjekur që të mos e lejojë që procedura të shkonte në arbitrazh dhe se nëse nuk është arritur rezultat në harmonizimin e qëndrimeve, kjo sipas gjykatës nuk do të thotë moskryerje e detyrave zyrtare.

Trupi gjykues ka vlerësuar se veprimet e Mustafës rreth interpretimit të kësaj kontrate dhe kërkesave të Dardafon.net në këtë rast, janë mbështet në opinionet e zyrës ligjore e cila funksionon brenda PTK-së.

“Kjo shihet edhe nga deklarata e udhëheqësit të zyrës ligjore të PTK-së, i cili deklaron se “kontratën e kemi zbatuar ashtu siç e kemi kuptuar nga ana e menaxhmetit dhe bordit dhe ky nuk ka qenë mendim individual, është analizuar si ekip, shërbimet e kërkuara nga Z-mobile nuk i takojnë, duke i këshilluar Kryeshefin Ekzekutiv dhe Bordin e Drejtorëve që nëse ndërmarrin veprimin në drejtim të zbatimit të kësaj kontrate, mbajnë përgjegjësi pasi që një veprim i tillë e tejkalon kontratën”, thuhet në aktgjykim.

Sipas aktgjykimit të njëjtin qëndrim gjatë deklarimit të tyre në këtë çështje penale kishin pasur edhe punëtorët e tjerë të PTK-së.

Ndërsa, lidhur me Rexhë Gjonbalajn, në aktgjykim thuhet se sipas ligjit për ndërmarrjet publike dhe legjislacioni tjetër dytësor, vërehet se në bordin në të cilën Gjonbalaj ka qenë kryesues, vendimet janë marrë në aspektin kolektiv dhe vota e kryesuesit të bordit ka qenë e barabartë me votën e anëtarëve tjerë.

Me këtë rast, sipas gjykatës nga kjo largohet përgjegjësia penale e Gjonbalajt.

Gjykata po ashtu ka vlerësuar se në rastin konkret, mund të jetë shkaktuar dëmi lidhur me moszbatimin e kontratës, mirëpo asesi nuk është vërtetuar se dëmi është shkaktuar me dashjen e të pandehurve.

Kjo së paku nuk është arrit të vërtetohet me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, e të cilat i ka propozuar Prokuroria si organ i ndjekjes, që obligohet që t’i provojë para gjykatës pretendimet e prezantuara ne aktakuzë”, thuhet në aktgjykim.

Në rastin konkret gjykata ka vlerësuar se veprimet e Mustafës, Qerimit e Gjonbalajt janë tipike që duhet të shtrohen dhe të shqyrtohen në një procedurë juridiko-civile dhe pala e dëmtuar në procedurë civile të kërkojë të drejtën e saj për realizimin e kompensimit të dëmit mbi bazën e përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar.

“Nga kjo arsye, trupi gjykues veprimet e të akuzuarve në rastin konkret i konsideron në mënyrë ekskluzive se i përkasin një raporti juridiko-civil, ndërsa nga ana tjetër ky rast nuk gëzon mbrojtje juridiko-penale sepse mbrojtja penale mund të vie në shprehje vetëm në rastet kur i dëmtuari e ka të pamundur të realizojë mbrojtjen juridike në procedurat tjera”, thuhet në aktgjykim.

Ndryshe, aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 17 gusht 2018, kurse e njëjta ishte ndryshuar në seancën e 20 majit 2021.

Go to TOP