Ramadani: Projektligji për KPM-në më i avancuari në rajon

Komisioni për Media po vazhdon shqyrtimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve, pas mbajtjes së takimeve publike në 7 komuna të vendit ku janë diskutuar amendamentet dhe janë pranuar komentet mbi këtë projektligj.

Kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani ka thënë se gjatë mbledhjes se sotme do të diskutohen të gjitha komentet, vërejtjet e pranuara gjatë gjithë kësaj kohe, për Projektligjin për të cilin thotë se është më i avancuari në rrethanat e tanishme.

“Po e fillojmë këtë diskutim pas mbajtjes së 7 tubimeve publike me qytetarë nëpër komuna, për t’i dëgjuar komentet, sugjerimet, kritikat në lidhje me këtë projektligj”, ka thënë ai

“Ky Projektligj është ndoshta më i diskutuari në 10 vitet e fundit, por të jeni të sigurt që do ta bëjnë më të mirën. Duke e ditur kompleksitetin e fushës së medies, ky është Projektligji më i mirë i kohës, për rrethanat në të cilat jemi, është dukshëm më i avancuar se në shtetet e rajonit, prandaj kemi pasur të angazhuar ekspertë nga BE dhe kemi kërkuar edhe ekspertizë shtesë nga Këshilli i Evropës”, tha Ramadani.

Gjatë shqyrtimit në videolidhje ka dhënë komentet e saj ekspertja e Këshillit të Evropës, Deirdre Kevin, e cila është angazhuar nga Komisioni për Media.

“Është me rëndësi me pas një koment themelor sa i përket rregulloreve, e kemi nënvizuar rëndësinë e rregulloreve. KiE rekomandon që të ketë dëgjime publike për propozimet e reja dhe të njoftohet publikun për ndryshimet…”ka thënë Kevin.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare e kanë kundërshtuar përmbajtjen e këtij projektligji dhe më herët kanë bërë thirrje që të hiqet dorë nga ndryshimet e ligjit me arsyen se ndryshimet censurojnë mediet, ndërsa zyrtarët qeveritarë kanë thënë se transparenca në pronësinë e medies është e lidhur direkt me lirinë e shprehjes, bazën e funksionimit të shtetit demokratik.

Projektligji për KPM-në po shqyrtohet në Komisionin e Medieve

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është duke e shqyrtuar  Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve. Në këtë mbledhje po shqyrtohen rekomandimet vendore por edhe atyre ndërkombëtare për funksionimin e medieve në Kosovës.

Ligjvënësit e këtij komisioni po marrin sugjerime edhe nga ambasadat e huaja që janë përfshirë në hartimin e Projektligjin e medieve.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës në mars të këtij viti e ka miratuar në lexim të parë Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba në rast të shkeljes së ligjit.

Ligji parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale. Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Go to TOP