Abdixhiku në Hajvali: LDK dhe Prishtina bashkohen për ndryshim më 9 shkurt

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim entuziast me strukturat dhe simpatizantët e Degës 5 të LDK-së në Hajvali, Prishtinë, duke e cilësuar këtë moment si dridhje elektorale për Gollakun dhe gjithë Kryeqytetin.

Abdixhiku theksoi se asnjë alternativë tjetër politike nuk ofron për Prishtinën atë që LDK ka përgatitur për qytetarët e saj. Ai nënvizoi se prishtinasit, ashtu si katër vite më parë, kërkojnë ndryshim, këtë herë edhe në nivel nacional.

“LDK dhe Prishtina më 9 shkurt bëhen një,” tha Abdixhiku, duke shtuar se fushata elektorale e LDK-së është kthyer në një festë që shërben si antidot ndaj urrejtjes, përçarjes dhe ndarjes politike.

Abdixhiku prezantoi një plan ambicioz për transformimin e Kryeqytetit, i cili përfshin:

1.5 miliard euro investime për Prishtinën

Realizimin e projektit të Unazës së Kryeqytetit

Ndërtimin e Stadiumit të Ri dhe Qendrës së Sportit

Krijimin e një Parku Teknologjik

Ndërtimin e Spitalit të Ri

Zbatimin e mësimit tërëditor për 28 mijë fëmijë në Kosovë

“Prishtina dhe banorët e saj më 9 shkurt do të fitojnë shtetin që i ka bllokuar për katër vite rresht,” deklaroi Abdixhiku.

Ai falënderoi dy kandidatët e Degës 5, Izetin dhe Fikneten, për organizimin e suksesshëm të eventit dhe përkushtimin e tyre në këtë fushatë.

“Na jepni besim dhe shpresë. Kjo është fushata jonë e shpresës dhe ndryshimit,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP