Deputetja e Listës Guxo mohon se ka përçarje brenda koalicionit me VV-në

Deputetja e Listës Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, ka hedhur poshtë dyshimet se ka përçarje brenda koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo ka thënë se që nga fillimi i mandatit është folur për përçarje, e cila sipas saj, nuk ekziston.

“Realisht për çarje flitet që nga themelimi i këtij mandati dhe këtij parlamenti që është mbi një vit, do të thotë që nga komplet fillimi i grupit tonë parlamentar që ishte në bashkëpunim, asokohe lista Vjosa, iniciativa e presidentes dhe lëvizjes Vetëvendosje. Ne gjithmonë kemi dëgjuar që kemi çarje dhe jemi munduar të identifikojmë atë çarje brenda nesh sepse askush nuk e dinte prej nga po vjen, kështu që deri më tani asgjë nuk ka konkrete”.

“Ne megjithatë e kemi lirinë përbrenda grupit parlamentar ta themi mendimin tonë, nuk është se nuk ka ndodhur që deputetët nga radhët e listës Guxo, në fakt edhe nga lëvizja Vetëvendosje të shprehin mendime ndryshe ndaj shumicës parlamentare, kështu që nuk është e vërtetë që ka çarje”, ka deklaruar Kica-Xhelili, e cila është edhe kryetare e komisionit parlamentar për administratë pubike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal.

Këto ditë në Shtetet e Bashkuara janë ftuar një sërë politikanësh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të një programi disa javor për shkëmbim përvojash dhe praktikash për zhvillimin e demokracisë. Programi këtë vit është përqendruar te vënia në jetë e angazhimeve të marra në takimin e nivelit të lartë për demokracinë mbajtur vitin e kaluar, me nismën e presidentit Joe Biden. Një nga pjesëmarrëset është Doarsa Kica-Xhelili.

Go to TOP