Borrell bisedon me Vuçiqin për “punën e rëndësishme” midis BE-së dhe Ballkanit

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Biseda u zhvillua me iniciativën e Borrellit, i cili i tha Vuçiqit se përpara i pret një punë e rëndësishme për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ne duam të llogarisim te Serbia si një kandidate të sinqertë dhe partnere të besueshme evropiane për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, shkroi Borrell në llogarinë e tij në Twitter.

Biseda midis Borrellit dhe Vuçiqit ndodhi teksa ky i fundit gjendet në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nën presion të madh nga Bashkimi Evropian, i cili i kërkon Beogradit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, në përputhje me vendimet e bllokut në përgjigje të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Serbia, shtet kandidat për anëtarësimin në BE, është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Për më tepër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte planifikoi që të vizitonte Serbinë më 6 dhe 7 qershor, por vizita u anulua pasi Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria refuzuan që të lejonin avionin e tij të hynte në hapësirën e tyre ajrore, në përputhje me sanksionet evropiane.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më herët gjatë 7 qershorit i bëri thirrje sërish Serbisë që të mos i forcojë lidhjet me Rusinë.

“Në kohën e agresionit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, BE-ja pret nga Serbia, që si vend kandidat të mos i forcojë edhe më shumë lidhjet me Federatën Ruse. Nga vendet kandidate, përfshirë edhe Serbinë, presim që gradualisht të harmonizojnë politikat e tyre me qëndrimet dhe vendimet e miratuara nga BE-ja ndaj vendeve të treta, përfshirë edhe masat kufizuese”, tha Stano.

Stano tha se “sanksionet e BE-së kundër Rusisë reflektojnë qëndrimin politik dhe moral përballë shkeljes brutale të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Go to TOP