100 ditët e Manifesta 14 ia shkundën Prishtinës pluhurin e të kaluarës

23 vjet më parë, Kosova ishte “pushtuar” nga ndërkombëtarët, që për mision kishin mbrojtjen e territorit dhe popullsisë civile pas përfundimit të luftës në vend.
E “pushtim” pati edhe këtë verë në Prishtinë nga të huajt. Veçse kësaj radhe, këta të huaj ishin pa armë, pa uniforma dhe më të relaksuar.

Nuk kishin ardhur me mision paqeruajtës në Kosovë – kishin ardhur në cilësinë e artdashësve për ta ndjekur një ngjarje të madhe kulturore që po zhvillohej për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Edicionin e saj të 14-të, Manifesta, e njohur edhe si Bienalja Nomade Evropiane, vendosi që ta mbajë pikërisht në kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë, që me disa suksese të shënuara sidomos në fushën e kulturës dhe sportit, duket sikur ka nisur ta tregojë potencialin që ka.

Nga 22 korriku e deri më 30 tetor, ky organizim bëri bashkë veprat e më shumë se 100 artistëve vendorë e ndërkombëtarë dhe i ekspozoi ato nëpër 25 lokacione të ndryshme të kryeqytetit.

Kthimi i vëmendjes te hapësirat e harruara

Në të kaluarën, disa hapësira të braktisura krejtësisht apo pjesërisht, si Grand Hoteli, Kino Rinia, Fabrika e Tullave, Memoriali i Martirëve të Luftës së Dytë Botërore dhe reparti i ish-shtypshkronjës “Rilindja”, as që janë menduar se mund të përdoreshin si galeri për ekspozimin e veprave të artit.

Performancë në Qendrën për Praktikë Rrëfyese

Bienalja me organizimin e saj arriti që ta kthejë vëmendjen e shoqërisë te këto hapësira të braktisura dhe të harruara për të cilat ka pasur tendenca edhe të rrënohen e privatizohen. Tani ato kanë marrë vëmendjen institucionale dhe po shqyrtohet e planifikohet që këto hapësira të rivitalizohen dhe të kthehen në shërbim të publikut.

“Manifesta 14 dhe Komuna e Prishtinës janë momentalisht duke diskutuar për hapësira të ndryshme potenciale të tjera përgjatë guidës si Kino Rinia, e cila u pronësua me idenë që do të shërbejë si qendër kulturore; Shtëpia-shkollë Hertica rikonsiderohet për rinovim; Pallati i Rinisë dhe Sporteve, të cilit u përcaktua një staf i ri manaxherial; Hamami i Prishtinës, është konfirmuar të restaurohet dhe të jetë një shtëpi kulturore”, shkruan në të dhënat e Manifesta 14.

Ndërhyrja artistike te ish-fabrika e tullave në Prishtinë

Kjo bienale është e njohur për ndikimin e saj në vendet nikoqire. Në Prishtinë u përqendrua në krijimin e ndikimit afatgjatë duke i rikthyer hapësirat publike dhe duke i inkurajuar qytetarët që të rimendojnë se si ato mund të përdoren për ndryshime pozitive.

Këtë herë e veçantë është se bienalja për herë të parë në historinë e saj do të vazhdojë të funksionojë si instrument i politikës kulturore dhe zhvillimit infrastrukturor të Prishtinës dhe skenës së saj kulturore.

Kultura si faktor për zhvillim ekonomik

Ngjarja e madhe kulturore bëri ndryshim pozitiv edhe në ekonominë e Kosovës.

Edhe pse nuk dihet saktë se sa është numri i turistëve të huaj që erdhën në Prishtinë për Manifesta 14 “sepse ka qenë e pamundur që të pyetet secili turist se cila është arsyeja e vizitës në Kosovë”, tha zyrtari për media Dardan Hoti në një përgjigje për Klan Kosova, mjaftojnë disa shifra për ta qartësuar këtë ide.

Dita e parë e hapjes së Manifesta 14 në Prishtinë

Sipas të dhënave të Manifesta 14, gjatë programit 100 ditor bienalja ka mirëpritur afro 800 mijë vizita në ambiente të brendshme dhe ato publike.

Në konferencën përmbyllëse, Hedwig Fijen – themeluese dhe drejtoreshë e Manifesta-s, pyeti: “A mund të bëhet kultura një faktor ekonomik për transformimin e të ardhmes së qytetit?”

Hedwig Fijen – themeluese dhe drejtoreshë e Manifesta

Më pas ajo vazhdoi dhe iu përgjigj pyetjes që shtroi duke thënë se mjafton të shihen shifrat për ta kuptuar një gjë të tillë.

“Investimi total në Manifesta 14 Prishtina qëndron në shumën 5,376,701 EURO, pa përfshirë materialet e dhuruara dhe kontributet jo materiale prej partnerëve në gjerësi”.

Prej kësaj shume, investimi direkt i përllogaritur të shpenzohet në Kosovë kalon shumën e tre milionëshit.

Pastrimi i imazhit si një vend i dalë nga lufta

Në një farë mënyre, Manifesta 14 i bëri ftesë botës që të vijë dhe ta vizitojë shtetin më të ri të Evropës.

Duke vërejtur potencialin e kosovarëve, bienalja mori një qëndrim politik duke shkruar një letër të hapur në mënyrë që t’i inkurajojë vendet skeptike të Bashkimit Evropian që të lëshojnë pe sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Letra e Hapur ndoshta mund të duket naive dhe e pamjaftueshme, por në fakt rezultoi në një mbulim medial të dukshëm me zëra të ndryshëm të arsyeshëm në media ndërkombëtare që diskutuan mbi këtë çështje në artikujt e tyre”, shkruan në të dhënat e bienales.

Susan Philipsz – Radio International – Kioska K67

Përveç kësaj, ky organizim solli turistë të shumtë e gazetarë të huaj të cilët patën rastin të shohin nga afër se Prishtina nuk duket më si një kryeqytet i porsadalë nga lufta me makiatot më të mira në botë, ata patën rastin ta përjetonin realitetin e ri në vend.

“Për herë të parë falë punës së mrekullueshme që u arrit nga ekipi fantastik i Manifestas dhe ndihmës së pakursyer të kryeqytetit, Prishtina zuri vëmendjen e mediave botërore, tashmë jo për makiatot më të mira në botë, as për narrativen e qytetit të pas luftës, mirëpo për potencialin e jashtëzakonshëm për të krijuar e për të qenë pikë e rëndësishme në skenën kulturore evropiane dhe botërore”, u shpreh kryetari i Komunës Përparim Rama në konferencën përmbyllëse të programit.

Se sa shumë u promovua vendi falë kësaj ngjarjeje kulturore nëpër mediat vendore dhe të huaja, mjafton të përmendet fakti se që nga fillimi i programit e deri në përmbyllje të tij janë publikuar afro 800 artikuj, që kulmoi me një shkrim të gazetës më prestigjioze amerikane “The New York Times” për Kosovën.

The New York Times shkruan për Manifesta 14 në Prishtinë

“Për një vend po aq të ri sa Kosova, e cila arriti pavarësinë në vitin 2008, ardhja e Manifesta-s këtë verë ishte një grusht shteti, duke sjellë qindra kuratorë, tregtarë dhe kritikë në Prishtinë dhe duke i dhënë qytetit një moment të rrallë të vëmendjes së botës së artit ndërkombëtar”.

Sipas NYT, hera e fundit që ishte shfaqur interes i tillë ishte në fund të viteve 1990, pas një lufte brutale në të cilën shqiptarët etnikë luftuan kundër forcave serbe që kishin kontrolluar Kosovën që nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Klikoni KËTU për ta lexuar artikullin e plotë të përkthyer në gjuhën shqipe.

Çfarë do të ndodhë pas 100 ditëve të Manifesta 14?

Edhe pse programit 100 ditor të këtij organizimi i ka ardhur fundi, Manifesta 14 ende nuk ka mbaruar punë në Prishtinë.

Për herë të parë në historinë e saj 28 vjeçare, Bienalja Nomade Evropiane e merr përsipër përgjegjësinë për të themeluar një institucion të qëndrueshëm i cili do të vijojë veprimtarinë për katër vjet pas përmbylljes së programit Manifesta 14.

Pra, Manifesta bëri dhe po bën shumë për Prishtinën dhe ndikimi pozitiv i kësaj ngjarjeje të madhe kulturore është shumëdimensional.

Përveç se e dëshmoi se kultura mund të jetë çelës i demokracisë, i ndërtimit të paqes, transformimit social dhe ekonomik, Manifesta 14 me programin e saj 100 ditor ua shkundi pluhurin hapësirave të braktisura dhe tregoi se ato ende mund të përdoren për promovimin e artit vendor dhe ndërkombëtar.

Go to TOP