Insulinat e mbetura në stok të MSh-së janë të llojit bio similare (Gensulin)

14,220 copa insulina të cilat kanë mbetur në stokun e barnatores farmaceutike të MSh-së, me afat të skaduar, gjatë 2020, nuk janë insulina humane apo analoge siç janë NOVOMIX, NOVORAPID dhe LEVEMIR, që përdoren më së shumti tek insulinë-varësit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto insulina janë të llojit bio-similare apo Gensulina që janë futur për përdorim për herë të parë në Kosovë në vitin 2016.

“Mbetja e disa sasive të cilave iu është referuar Auditori në raport ka të bëjë me disa insulina, të cilat nuk janë shfrytëzuar për shkak se një numër i profesionisteve shëndetësor, përkundër se nuk kishte asnjë dëshmi të bazuar se  insulina në fjalë (Gensulin) nuk mund të përdoret, kishin zgjedhur që pacienteve t’u përshkruajnë lloje të tjera të insulinave shumë më të kushtueshme për buxhetin e shtetit. Ky ilaç ishte duke u përdorur ne Kosovë për pacientë me diabet që nga viti 2016”, treguan Ministria e Shëndetësisë.

Përkundër kësaj, ka ende insulinë-varës që trajtohen me këto, veç në Prizren janë 78 pacientë që përdorin Gensulin M, 12 me Gensulin R, ku për herë të fundit njësia e barnatores së kësaj QKMF-je është furnizuar në shkurt  të këtij viti, kurse 22 qytetarë  të tjerë diabetik marrin Gensulin N,  për të cilat furnizimet e fundit janë bërë në fund të 2019 nga MSh.

Mirëpo, për endokrinologun dhe farmakologun Elton Bahtirin, më e udhës do të ishte që këto insulinat të aplikoheshin në këtë periudhë mungesash, nëse ato kanë qenë me afat valid.

Anise, mbështet faktin e komplikimeve të cilat iu patën shfaqur qytetarëve në vitet paraprake nga Gesulinat, që u zëvendësuan me këto aktualet.

Sidoqoftë për kreun e shoqatës së pacientëve Besim Kodra, është e papranueshme humbja e parasë publike dhe mos menaxhimi i duhur i stokut farmaceutik.

 Sidoqoftë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se vlera e këtyre preparateve është 36,261 euro, ku pos kësaj do të ketë kosto shtesë për asgjësimin e tyre.

Ndërkaq, rekomandimi i auditorit për këto gjetje është  se ministri duhet të sigurojë që të bëhet planifikimi i duhur në mënyrë që shpërndarja e barnave të bëhet para skadimit të afatit të tyre.

Go to TOP