Zulfaj i përgjigjet ambasadorit Rohde për CEFTA-n: Serbia po kushtëzon

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, i është përgjigjur ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk ka arritur ta bindë kryeministrin Kurti për kompromis për CEFTA-n.

Ambasadori gjerman mes tjerash tha se tani Marrëveshja e Tregtisë së lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) mund të vazhdojë me shtetet tjera, pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së për lehtësimin e këmbimeve tregtare.

Në anën tjetër këshilltari Zulfaj tha se kryeministri Kurti ka takuar Sarrazinin për të diskutuar për mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA. Duke thënë se Serbia ka vazhduar me kushtëzime, ai ka theksuar se Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit.

“Pas tre vjetësh të bllokadës së Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Tani Serbia ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk lidhen. Masat e Kosovës nuk janë tregtare, por që derivojnë nga kërcënimet për sigurinë tonë kombëtare, të vendosura nga autoritetet e sigurisë dhe jo nga Ministria e Tregtisë. Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti vazhdimisht e ka promovuar integrimin e mëtejmë”, ka shkruar Jeton Zulfaj.

Go to TOP