Ymeri për 2 milionëshin për mërgatën: Propagandë – këtë shumë ata e dërgojnë në Kosovë për gjysmë dite

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka krahasuar subvencionimin e Qeverisë në detyrë prej 2 milionë eurosh për aviokompanitë që funksionojnë në shtetet ku jeton mërgata jonë.

Ajo tha se këtë shumë, mërgata e dërgon në Kosovë për gjysmë dite.

“Për krahasim, mërgata ka dërguar në Kosovë shumën sa subvencioni i Qeverisë për gjysmë dite në vitin 2025. Pra sot kah ora 3-4 pasdite dërgohet e harxhohet subvencioni i Qeverisë”, tha Ymeri.

Në postimin e saj në Facebook, ish-deputetja e LDK-së tha se ky subvencionim është propagandë e rreme se gjoja po ndihmohet mërgata, teksa kritikoi edhe idenë që po bëhet dallim mes mërgimtarëve.

“Përveç propagandës së rreme se po ndihmohet mërgata, shqetësimi është pse po bëhet ndarje në mes të mërgimtarëve. Kush përfiton? Pse disa mërgimtarë me përfitu disa jo? Me çfarë linje ajrore nga cili vend?”, tha Janina Ymeri.

Ajo shtoi se kjo nuk është hera e parë, sepse, sipas saj, ndarje të tilla janë bërë edhe me rrogën e 13-të kur Trepça e KEK-u mbetën jashtë.

Ish-deputetja kërkoi nga Ministria e Financave që të publikojë marrëveshjen e plotë “përtej vendimit” qeveritar, por shti se “derisa ta bëjë këtë, sot do dërgoj pyetje në Ministri se në çfarë kushtesh po bëhet subvencioni, për cilat linja, dhe kush përfiton”.

Ymeri tha se po kërkon se në “çfarë baze ligjore” u bë e gjithë kjo.

Go to TOP