Ul perden nata e dytë e Eurovision 2025

Është mbyllur të enjten në mbrëmje nata e dytë e gjysmë finales së Eurovision 2025. Në këtë mbrëmje spektakolare për nga organizimi u përzgjodhën edhe 10 këngët të cilat do të shkojnë në Finalen e Madhe.

Me përzgjedhjen e 10 finalistëve në natën e dytë kompletohet edhe Finalja e Madhe në të cilën do të interpretohen 26 këngë, të cilat do të garojnë për çmimin e madh në natën finale.

Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm” kaloi  në Finalen e Madhe në gjysmë finalen e parë. Dyshja përfaqësuese e Shqipërisë në këtë ngjarje të madhe të muzikës evropiane, ndezi skenën e St. Jakobshalle në Bazel të Zvicrës, me një performancë vokale dhe skenike, e cila pati jehonë jo vetëm mes shqiptarëve kudo që ata ndodhen, por edhe në mediat dhe opinionin e kritikës muzikore evropiane.

Vendet që kaluan në finale janë:

  1. Shqipëria
  2. Islanda
  3. Polonia
  4. Portugalia
  5. Suedia
  6. Ukraina
  7. Estonia
  8. Norvegjia
  9. San Marino
  10. Holanda
  11. Franca
  12. Italia
  13. Anglia
  14. Gjermania
  15. Spanja,
  16. Zvicra
  17. Lituania
  18. Izraeli
  19. Armenia
  20. Danimarka
  21. Austria
  22. Luksemburgu
  23. Finlanda
  24. Letonia
  25. Malta
  26. Greqia

Eurovision 2025- Si do të hidhet shorti për renditjen e pjesëmarrësve në Finalen e Madhe?

Menjëherë pas përfundimit të dy gjysmëfinaleve, kualifikuesit për në Finalen e Madhe do të jenë pjesë e një shorti për të përcaktuar se në cilën renditje do të jenë në Finalen e Madhe.

Çdo finalist do të shortohet për rendin e pjesëmarrjes në Finalen e Madhe me tre rezultate të mundshme:

  • Pjesa e parë
  • Pjesa e dytë
  • “Zgjedhja e producentit”

Nëse një vend zgjedh “Zgjedhjen e Producentit”, producenti i shfaqjes së këtij viti, Korporata Zvicerane e Transmetimeve (SRG SSR), mund të vendosë lirisht se në cilën renditje do të paraqitet për tu vendosur në Finalen e Madhe.

Bazuar në short, producenti i Eurovision 2025 do të vendosë rendin e pjesëmarrjes në Finalen e Madhe. Rendi i pjesëmarrjes do të vendoset dhe do të shpallet menjëherë pas gjysmëfinales së dytë të së enjtes nga producenti, Korporata Zvicerane e Transmetimeve (SRG SSR), dhe do të miratohet nga EBU.

Tashmë është vendosur nëpërmjet një shorti që Zvicra do të performojë e 19-ta në Finalen e Madhe. Shorti i vendeve të Big-5 do të zbulohet pasi në gjysmëfinale ata të prezantojnë këngën e tyre dhe të votojnë.

Go to TOP