Ambasadori Ajeti pret regjisorin Visar Morina: Nga Çikatova e Drenicës drejt Oscarit
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka pritur në Ambasadën e Kosovës regjisorin e njohur Visar Morina duke vlerësuar sukseset e tij në skenën ndërkombëtare të kinemasë dhe rrugëtimin drejt çmimit prestigjioz Oscar.
Ajeti tha se Morina, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjermani, ka arritur që nga Çikatova e Vjetër e Drenicës të depërtojë në skenat më prestigjioze të kinemasë botërore falë talentit dhe vizionit të tij artistik.
Sipas ambasadorit, filmi më i ri i Morinës, “Shame and Money”, është vlerësuar me çmimin kryesor në Filmfest München dhe Sundance Film Festival, një sukses që e afron regjisorin kosovar drejt një nominimi për Oscar.
Ajeti theksoi se suksesi i Morinës është edhe sukses i Republikës së Kosovës, pasi dëshmon potencialin krijues të artistëve kosovarë dhe promovon kinematografinë e vendit në arenën ndërkombëtare. Ai përmendi edhe filmat e tjerë të regjisorit, si “Von Hunden und Tapeten”, “Der Schübling”, “Babai”, “Exil” dhe “Shame and Money”, të cilët kanë fituar vlerësime në festivale të ndryshme evropiane.
Ambasadori bëri të ditur se gjatë muajve në vijim, në kuadër të diplomacisë kulturore, Ambasada e Kosovës në Gjermani do të bashkëpunojë me Visar Morinën dhe artistë të tjerë për të promovuar historinë, talentin dhe krijimtarinë e artistëve kosovarë para publikut gjerman. /Kosova.info/
