Bogujevci përgëzon Baletin Kombëtar të Kosovës pas debutimit në Romë

Ministrja e Kulturës dhe e Turizmit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Baletin Kombëtar të Kosovës për debutimin në Romë, duke e cilësuar paraqitjen si një tjetër prezantim të suksesshëm të artit kosovar në Itali.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bogujevci bëri të ditur se Baleti Kombëtar i Kosovës u ngjit në skenën e Teatro Grande të Accademia Nazionale di Danza di Roma me shfaqjen “Carmina Burana”, nën koreografinë e maestros italian Toni Candeloro.

Sipas ministres, para një audience të përbërë nga përfaqësues të institucioneve kulturore, artistë dhe personalitete të jetës kulturore në Itali, trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ofroi një interpretim që u prit me entuziazëm dhe u shpërblye me duartrokitje.

Bogujevci përgëzoi Baletin Kombëtar të Kosovës për paraqitjen, duke theksuar se turneu në Itali do të vazhdojë më 20 korrik me shfaqjen e radhës në Lecce. /Kosova.info/

Go to TOP