‘Marigona’ përshëndetet me publikun pas një karriere shumëvjeçare
Grupi ‘Marigona’ është ngjitur për herë të fundit në skenë, në koncertin e lamtumirës, që po mbahet në periferi të kryeqytetit, teksa sponsor medial është RTK.
I titulluar “Përjetë”, koncerti mban simbolikën e jetëgjatësisë së këngëve të grupit, të cilat kanë mbetur të dashura për breza të tërë. Me këtë mbrëmje, që po mbahet në hapësirat e AMC Hall, bendi po i jep fund një karriere muzikore shumëvjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në muzikën shqiptare.
Grupi, që mban vulën e dhjetëra hiteve të njohura të skenës shqiptare, ka arritur të mbledhë në koncert adhurues të grupmoshave të ndryshme, duke dëshmuar ndikimin dhe popullaritetin që ka ruajtur ndër vite.
Gjatë mbrëmjes, “Marigona” po interpreton disa prej këngëve të saj më të njohura, por edhe krijime më të reja, duke rrumbullakuar repertorin me të cilin po i jep lamtumirën publikut.
Një nga surprizat më emocionuese të koncertit ishte dueti i solistit të grupit, Vullnet Sefaja, me vajzën e tij, Vesën, i cili u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Në këtë koncert lamtumire, grupit i janë bashkuar edhe mysafirë të ftuar, ndër ta MC Kresha, Fifi dhe Zana Abazi Ramadani.
