Ujqit e Putinit shfaqen në Serbi, bashë me Vulinin marshuan për “Çlirimin e Beogradit”
Klubi motoçiklist rus “Ujqit e Natës”, të njohur për besnikërinë e tyre ndaj presidentit rus Vladimir Putin, u panë në rrugët e Serbisë duke festuar “çlirimin e Beogradit.”
Marshi u drejtua nga personalitete të njohura, përfshirë presidentin e nderit të fondacionit “Besmrtni puk” (Regjimenti i Pavdekshëm), ministrin Nenad Popoviq, zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, ministren e Mbrojtjes së Mjedisit Irena Vujoviq, zëvendëskryetarin e Këshillit të Federatës Ruse Konstantin Kosaçov, zëvendëskryetarin e Dumës Shtetërore Petar Tolstoj, dhe ambasadorin rus në Serbi Aleksandar Bocan-Harçenko.
Në ballë të kolonës ishin “Ujqërit e Natës,” të cilët janë të njohur në Ballkan për rolin e tyre në përpjekjet e Kremlinit për të rritur ndikimin rus në rajon.
Formuar në vitin 1989, ky klub motoçiklistësh ka lidhje të ngushta me Kremlinin dhe promovon vlerat e konservatorizmit dhe patriotizmit rus. Anëtarët e “Ujqërve të Natës” kanë mbështetur publikisht politikat e Vladimir Putinit dhe kanë marrë pjesë në aktivitete pro-ruse, përfshirë në Krime dhe Ukrainë gjatë krizës së vitit 2014.
Grupi është i njohur për organizimin e “tureve patriotike” që përkujtojnë fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore dhe kanë qenë të përfshirë në mbështetjen e interesave strategjike të Rusisë jashtë vendit.
Për shkak të mbështetjes së politikave të Kremlinit, veçanërisht në Ukrainë, “Ujqërit e Natës” janë futur në listat e zeza nga disa vende perëndimore, që i shohin si një simbol të ndikimit të fortë nacionalist të Putinit.
