Salih Murat takon ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, diskutohen zhvillimet politike dhe integrimi evropian
Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë.
Sipas Muratit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, punën e Kuvendit, sfidat institucionale me të cilat përballet vendi, si dhe reformat e nevojshme për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Ai bëri të ditur se në takim u theksua rëndësia e dialogut ndërinstitucional, forcimit të sundimit të ligjit, përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve, si dhe ruajtjes së harmonisë dhe solidaritetit shoqëror.
Murat nënvizoi se karakteri shumetnik, multikulturor dhe shumëgjuhësh i Maqedonisë së Veriut përbën një nga shtyllat kryesore të stabilitetit dhe paqes në vend duke theksuar se mbrojtja e këtyre vlerave është thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.
Në fund, ai u shpreh se lidhjet tradicionale të miqësisë dhe vëllazërisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të shndërrohen në një bashkëpunim edhe më të ngushtë në nivel parlamentar, ndërsa falënderoi ambasadorin Meidani për mikpritjen dhe takimin që e cilësoi të frytshëm. /Kosova.info/
