Në të njëjtën ditë, Serbia forcon bashkëpunimin me Rusinë dhe SHBA-në
Në kohën kur ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, njofton se në Uashington janë nënshkruar dy memorandume me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e arsimit – presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me ambasadorin e Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Vuçiq ka bërë të ditur se me Bocan-Harçenkon ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe për situatën aktuale politike në rajon dhe në botë.
Në një postim në Instagram, presidenti serb e ka cilësuar takimin si shumë të mirë, duke bërë të ditur se gjatë tij “diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik”.
“Shqyrtuam situatën aktuale politike në rajon dhe në botë. Njëkohësisht, biseduam edhe për projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe projekte të tjera në Serbi, të cilat po i realizojmë së bashku me Federatën Ruse dhe kompanitë nga ai vend”, ka shkruar Vuçiq.
Ndërkohë, në Uashington është zhvilluar Dialogu Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, ku, sipas raportimeve të mediave, janë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi.
