U mbajt Akademi përkujtimore për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Ali Lajçin

Në nderim të jetës, veprës dhe kontributit për shtetin e Kosovës, sot u mbajt Akademi Përkujtimore për veprimtarin dhe ish-deputetit e Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçit. 

Në këtë ngjarje e cila u zhvillua në ambientet e Pallatit të Rinisë, mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. 

Duke kujtuar e përkujtuar për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, përfshirë edhe si deputet i Republikës së Kosovës, e kryetar i Komunës së Pejës, kryeministri Kurti u shpreh se Ali Lajçi, hyri në historinë politike të Kosovës në vitin ’81, nga një portë e madhe e historisë sonë dhe me një thirrje të lartë. 

“Nga ai kemi mësuar se si duhet dheu i atdheut me punë që mbron, me angazhim që ruan pa kursim e pa pushim”, tha kryeministri Kurti ndër të tjerash. 

Në përkujtim të veprimtarisë së Ali Lajçit, foli edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se Ali Lajci do të kujtohet për kontributin e tij shumëdimensional për popullin e për shtetin tonë, dhe për dashurinë e pakusht për popullin e Kosovës e për kombin shqiptar. 

Në këtë Akademi përkujtimore, në emër të familjes foli edhe djali i tij Ngadhnjim Lajçi, i cili fjalën e filloi duke falënderuar të pranishmit që morën pjesë në këtë ngjarje në nderim të babit të tij. Ai u shpreh se babai i tij, ishte një person veprat e të cilit do ta mbajnë të gjallë me krenari në zemra dhe mendjet tona, frymëzim jo vetëm për familjen. 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

E nderuara Znj.Fiqerie, të dashur Ngadhnjim, Arbëresha e Gent,

Të nderuar familjarë të Ali Lajҫit,

Të nderuar bashkëveprimtarë, kolegë, miq të Bacës Ali,

Të nderuar të pranishëm të pikëlluar për vdekjen e Ali Lajçit,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër, 

Historia jonë është ndërtuar mbi emra dhe data. Historia natyrshëm bëhet me emra veprimtarësh dhe data ngjarjesh. Në sekretin e historisë qëndron ngjarja që prodhon ngjarje. Nuk ka ngjarje jetime. Çdo ngjarje është e njerëzve, e bërë prej njerëzve. Por po ashtu, ngjarja krijon njerëzit dhe çështjet. 

Duket se ne si popull e njohim këtë sekret të dinamikës së historisë. Ngjarjet e vitit 1981 janë një nyje politike sepse i dhanë një potencial të ri shoqërisë dhe popullit tonë. Mënyra se si u organizuan protestat studentore të shndërruara më pas në demonstrata popullore është shprehje e vetë dëlirësisë dhe së drejtës sonë. 

Shqiptarët e kanë ditur mirë në çdo kohë të vetes, shqiptarët e thanë mirë përmes çdo zëri të tyre, se nuk mund të gëzojnë më pak se barazi dhe Republikë. Barazi për njerëzit dhe barazi për institucionet. Kjo është republika. 

Edhe Aliu, deputeti i Republikës, veprimtar i Lëvizjes, kryetari i Komunës, hyri në historinë politike të Kosovës në vitin ‘81. Ai hyri pra nga një portë e madhe e historisë sonë dhe me një thirrje të lartë. 

Ne ishim në atë kohë krahina e ndarë, e cunguar, e diskriminuar e shfrytëzuar. Ishte koha që të ngrinim devizën “të drejtat tona ne s’i ndajmë”. Kështu që edhe ndëshkimet morën formën më brutale. Kështu edhe Aliu rinor u mbyll sipas devizës së vjetër të pushtetit serbo-jugosllav: për shqiptarët, Republika më e mirë është burgu. Këtu gabohej pushteti serbo-jugosllav. Ne nuk lidhemi sepse çdo gjeneratë realizon ngjarjen e vet nyje. Dhe ne i trashëgojmë njëri-tjetrit brenda nesh ngjarjet. Kështu që, sistemi nuk mund ta dënojë vetëm një herë Ali Lajçin. Si njëri ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1981, ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur. Një herë nga Serbia si Jugosllavi, e më pastaj nga Jugosllavia si Serbi para çlirimit të Kosovës. 

Mendoni se sa shumë janë ata që janë dënuar dy apo tri herë. Ata arrestoheshin në një datë, por në liri i priste afrimi i një date tjetër, i priste një gjeneratë tjetër, i priste një nivel dhe formë e gjetur organizimi. Kështu që Ali Lajҫi merrte pjesë krejt natyrshëm në dialektikën e përhershme të historisë së Kosovës. 

Në liri, Ali Lajçi u zgjodh Kryetar i Komunës së Pejës. Si deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e për Republikën, me Ali Lajçin punuam së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Posaçërisht në kundërshtimin e ndryshimit të kufirit me Malin e Zi që në emër të demarkacionit po na i hiqte 82 kilometra katror. Nga ai kemi mësuar se si duhet dheu i atdheut me punë që mbron, me angazhim që ruan pa kursim e pa pushim. 

Do ta kujtojmë për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare. Jeta e tij ishte përkushtim në rrugën e gjatë e përplot krenari të ngritjes së popullit dhe çlirimit të Kosovës. 

Andaj, në këto ditë të rënda e plot pikëllim, shpresoj që krenaria juve, krenaria të gjithë neve me bacën Ali, të na e mund dhembjen për të. 

U prehtë i qetë e në paqe Ali Lajҫi! U kujtoftë gjithmonë! /Kosova.info/

Go to TOP