Obiliqi mbështet familjet strehuese: 350 euro në muaj për kujdesin ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka nënshkruar sot vendimin për mbështetjen financiare të familjeve strehuese në këtë komunë, të cilat kujdesen për fëmijët pa përkujdesje prindërore. Sipas këtij vendimi, familjet që hapin derën dhe zemrën për këta fëmijë do të përfitojnë nga një mbështetje mujore prej 350 eurosh.
Thaçi ka theksuar se kujdesi për fëmijët pa përkujdesje prindërore nuk duhet parë si bamirësi, por si një përgjegjësi e drejtpërdrejtë institucionale. Ai ka nënvizuar se Komuna e Obiliqit do të jetë gjithmonë pranë atyre që japin kontributin më të madh për shoqërinë duke ofruar dashuri, siguri dhe përkujdesje për fëmijët që kanë më së shumti nevojë.
“Familjet strehuese kryejnë një mision fisnik dhe të pazëvendësueshëm. Mbështetja financiare është një shprehje konkrete e përkushtimit tonë institucional për t’i ndihmuar dhe për t’i inkurajuar ata që marrin këtë përgjegjësi të madhe shoqërore”, ka deklaruar Thaçi.
Ky vendim synon të forcojë sistemin e mbrojtjes sociale në Komunën e Obiliqit dhe të krijojë kushte më të mira për mirëqenien e fëmijëve pa përkujdesje prindërore duke garantuar që ata të rriten në një mjedis familjar të sigurt dhe mbështetës. /Kosova.info/
