Taravari ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka deponuar sot dorëheqjen e tij në Qeveri.

Ai në letrën e dorëheqjes shkruan se “këtë vendim e ka marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të tij personale”.

Dorëheqja e tij vjen pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për t’u larguar nga ekzekutivi. Taravari theksoi se ishin shqetësime kryesisht për çështje etnike dhe përmendi se balanceri u hoq. “Ne kërkuam ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, na premtohej nëntori, dhjetori, janari, shkurt, u bë maji dhe askund nuk është ligji”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Taravari gjithashtu njoftoi se pret që njësoj të veprojnë edhe kuadrot tjerë të partisë së tij që mbajnë funksione publike.

“Deri më tani nuk kemi informacion për dorëheqjen e dorëzuar. Do të presim konstatimin nga kryeministri për dorëheqjen e dorëzuar dhe më pas do të fillojmë procedurën për zgjedhjen e ministrit të ri”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, pret që koalicionit VLEN t’i bashkangjiten deputetë të Frontit Evropian, që ndodhen në opozitë. “Mendoj se deputetët e Frontit, nëse nuk gaboj, janë bashkangjitur shumicës parlamentare që përbën Qeverinë”, tha Limani.

Aleanca për Shqiptarët u formua në vitin 2015 si një fraksion i Partisë Demokratike Shqiptare. Deri në vitin 2022, partinë e udhëhoqi Ziadin Sela. Tre vjet më parë, Arben Taravari u zgjodh kryetar i kësaj partie. 

Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Aleanca u nda në dy pjesë. Krahu i Taravarit vendosi të garojë në zgjedhje me koalicionin VLEN, ndërsa krahu i Ziadin Selës u bë pjesë e koalicionit Fronti Evropian. Çështja se cilit krah i takojnë vulat e partisë, ndodhet në Gjykatën Themelore të Tetovës.

Go to TOP