Sveçla: Serbia po përhap dezinformata për një rast pronësor në veri

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë, të cilat lidhen me një çështje pronësore në veri të Republikës së Kosovës.

Në reagimin e tij, Sveçla ka kritikuar ashpër qëndrimet e Beogradit zyrtar, duke i cilësuar si vazhdimësi të një politike të bazuar në dezinformim.

“Ashtu siç ka deklaruar njëri nga ideologët dhe frymëzuesit kryesorë të krimeve serbe në fund të shekullit të kaluar, Dobrica Çosiq – se gënjeshtra është interes nacional serb – Vuçiq dhe shpura e tij po mundohen me përpikëri t’i qëndrojnë kësaj”, deklaroi Sveçla.

Ministri thekson se pavarësisht përpjekjeve për manipulim dhe politizim të çështjeve ligjore, shteti i Kosovës do të vazhdojë të mbrojë të drejtën dhe ligjshmërinë.

“Por kot e kanë. Në Republikën tonë, jo vetëm e vërteta, por edhe rendi e sundimi i ligjit do të mbizotërojnë kurdo dhe kudo,” përfundon ai.

Sveçla ka shpërndarë edhe reagimin zyrtar të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), e cila ka sqaruar se prona në fjalë, që i përket familjes Shipolli, është njohur ligjërisht që në vitin 2005. /Kosova.info/


Go to TOP