Kosova.info

Stoltenberg: Putin po e përdor dimrin si armë lufte në Ukrainë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “të përdorë dimrin si armë lufte” në luftën e tij në Ukrainë.

Ai i ka bërë këto deklarata pak para takimit mes ministrave të Jashtëm të aleancës, që këtë herë mbahet në Bukuresht.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për më shumë refugjatë që mund të hyjnë në Evropë”, si rezultat “i sulmeve të qëllimshme ruse në shërbimet kritike sikurse ngrohja, rryma, uji dhe gazi” brenda territorit ukrainas, ka thënë Stoltenberg.

Sipas tij, aleanca nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen në Bukuresht për t’u fokusuar në rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet ajrore për mbrojtje dhe municion.

Diplomatët janë duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së ndihmës edhe për pajisje dimërore dhe mjekësore.

“NATO-ja do të vazhdojë ndihmën për Ukrainën aq sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi”, ka thënë Stoltenberg në një fjalim në Bukuresht.

“Fokusi kryesor është mbështetja e Ukrainës dhe të sigurohemi që presidenti rus, Vladimir Putin të mos fitojë”, ka thënë ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar qytetarët e tij për sulme të reja ruse këtë javë, të cilat mund të jenë po aq të rënda sa ato të javës së kaluar, pasi kanë lënë miliona njerëz pa ngrohje, ujë dhe rrymë.

Rusia e pranon se është duke sulmuar infrastrukturën ukrainase, por deklaron se nuk është duke shënjestruar civilët.

“Do të jetë një dimër i tmerrshëm për Ukrainën, andaj ne duhet të rrisim mbështetjen”, ka thënë një zyrtar i lartë evropian.

Gjermania, e cila udhëheq presidencën e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7), e ka organizuar një takim të këtij grupi për të shqyrtuar mënyra si mund të rindërtohet infrastruktura ukrainase e energjisë.

Grupi G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Uashingtoni është duke punuar me disa ofrues amerikanë të shërbimeve të energjisë dhe me disa shtete evropiane për të ndihmuar në rregullimin e stacioneve energjetike të dëmtuara nga sulmet ruse, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Megjithatë, një zyrtar i saj, që ka folur për media, nuk ka bërë të ditur për llojin e saktë të ndihmës dhe shumën e ndarë.

Franca dhe Gjermania kanë thënë se do të dërgojnë më shumë se 100 gjeneratorë të energjisë në Ukrainë, për të ndihmuar në stabilizimin e rrjetit të energjisë.

“Arsyeja pse Rusia është duke vazhduar këto krime lufte është sepse është duke humbur në fushëbetejë”, ka thënë një zyrtar francez, duke iu referuar sulmeve në infrastrukturën e energjisë.

Sfida e prodhimit të armëve

Sa i përket aspektit ushtarak, NATO-ja vazhdon t’iu bëjë thirrje fabrikave të armëve që të rrisin prodhimin, mirëpo një diplomat ka vënë në pah se ekzistojnë probleme në rritje sa u përket kapaciteteve.

“Ne jemi duke bërë maksimumin tonë për të kryer dërgesat, mirëpo ekzistojnë probleme reale. Ukrainasit e dinë këtë gjë. Edhe industria amerikane e armëve është duke pasur probleme”, ka thënë ky diplomat.

Ministrat e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Megjithatë, ata vetëm pritet të konfirmojnë politikën e aleancës për dyer të hapura, pasi anëtarësimi i këtij vendi në aleancë duket larg.

Më 2008, në një samit të NATO-s të mbajtur në Bukuresht, është arritur pajtueshmëri që Ukraina dikur do të mund të bëhej pjesë e aleancës.

Megjithatë, liderët nuk kanë bërë ndonjë hap konkret, sikurse dhënia e planit të veprimit për anëtarësim të Ukrainës, çka më pas do të ndihmonte në afrim me NATO-n.

Përfaqësuesit e Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Bosnje e Hercegovinës do të marrin pjesë po ashtu në takimin e 29 nëntorit, teksa aleanca synon të forcojë lidhjet me këto shtete, pas shqetësimeve se Rusia mund të destabilizojë shtetet përtej Ukrainës.

Ministrat e NATO-s do të bisedojnë edhe për forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë, disa ditë pasi Stoltenberg ka paralajmëruar shtetet perëndimore që të mos krijojnë varësi të reja ndaj Kinës, teksa ato tentojnë të zvogëlojnë përdorimin e gazit rus si burim të energjisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Më të fundit

escort mersin - izmir escort