Sot protesta e thirrur nga PD, 1200 policë në terren, Rama shmang protestën çfarë pritet të ndodhë sot

Ditën e sotme do të zhvillohet protesta e thirrur nga Partia Demokratike në orën 19:00.

Policia e Shtetit ka nisur me planin e masave që ditën e sotme. Burime pranë uniformave blu thanë se pritet të angazhohen përafërsisht 1200 efektivë të komisariateve të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, por edhe agjentë civilë të cilët do të jenë në terren për të konstatuar paligjshmëri.

Burime nga kryeministria në Shqipëri bëjnë me dije se kryeministri Rama ditën e sotme do të jetë në Vlorë në ceremoninë e hapjes së Bypassit të Vlorës. Nuk dihet nëse kjo ka qenë më agjendën e Ramës, apo nëse kryeministri po largohet nga Tirana për shkak të protestës.

Kërpudhën e rindërtuar pas shkatërrimit të së parës nga protestuesit e dikurshëm të opozitës, Rama e zhvendosi nga lulishtja në hyrje të kryeministrisë.

Berisha deklaroi se largimi i kësaj qeverie është hapi i parë jetik dhe i domosdoshëm për të rikthyer në Shqipëri ligjin.

“Largimi i kësaj qeverie është hapi i parë jetik dhe i domosdoshëm për të rikthyer në Shqipëri ligjin, liritë dhe për të zhbërë padrejtësitë evidente, të qarta ndaj qytetarëve. Ju garantoj se Shqipëria ka çdo kusht sot që të zhdukë varfërinë ekstreme në Shqipëri. Zhdukja e varfërisë ekstreme nënkupton një minimum jetik. A ekziston mundësia e përcaktimit të një minimumi jetik, ekziston plotësisht. Është plotësisht e përballueshme, mjafton që të ketë vullnet qeveria që të mos shohë njerëz që vuajnë për kafshatën, për ilaçin, për kushtet më minimale të ekzistencës së tyre”, deklaroi Berisha.

Ish kreu i PD Sali Berisha foli dje për skenarët e protestës së nesërme para kryeministrisë. Ai paralajmëroi të gjithë policët, që të mos dhunojnë dhe të mos provokojnë protestuesit. Kurse kryeministrit Edi Rama i tha që të mendojë sa më parë dorëheqjen.

“Paralajmëroj të gjithë llojet e policive, se çdo presion,çdo qëndrim, çdo përpjekje për të intimiduar, për të dhunuar, për të penguar, popullin opozitar, do të regjistrohet dhe do të marrë ndëshkim personal të merituar ligjor. Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit. Është e vërtetë që vapa dhe temperaturat janë të larta, por më të larta janë temperaturat e brendshme të njerëzve, që vijnë të protestojnë ndaj këtij regjimi. Nesër pra është një ditë e madhe. Nesër është një ditë frymëzimi, një ditë beteje të vërtetë. Opozita zbret në shesh. Edi Rama është i ftuar të mendojë dorëheqjen e tij sa më parë”, tha Berisha. 

Go to TOP