Eurodeputeti bullgar: Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë liberalizimin e vizave

Deputeti i Parlamentit Evropian, Ilhan Kyuchyuk ka deklaruar se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë liberalizimin e vizave.

Ai në një postim në Twitter, ka shkruar se Kosova është ndër vendet e rajonit ku procesi i integrimit të BE-së gëzon mbështetje të fortë nga qytetarët dhe të gjithë akterët politikë.

“Kosova është ndër vendet e rajonit ku procesi i integrimit në BE gëzon mbështetje të fortë nga qytetarët dhe të gjithë akerët politikë. Pa asnjë dyshim Kosova është një nga vendet partnere më të përkushtuara dhe më besnike dhe qytetarët e saj meritojnë liberalizimin e vizave”, ka thënë Kyuchyuk.

Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së djeshme në Parlamentin Evropian, Kyuchyuk ka përmendur edhe sanksionet që Kosova i vendosi Rusisë pas agresionit në Ukrainë, duke thënë se “Kosova u bë vendi parë në rajon që iu bashkua sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.

Edhe eurodeputeti Lukas Mandl dje tha se populli i Kosovës me gjak ka paguar lirinë që sot e gëzon, ndonëse ndër përkrahësit më të mëdhenj të proceseve integruese është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave.

Thirrje për heqjen e vizave për Kosovën bëri edhe eurodeputeti spanjoll, Jorde Sole, duke thënë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe  e ligjshme, dhe se pengimi i perspektivës evropiane të Kosovës është egoiste dhe na dobëson ne si Bashkim Evropian.

Go to TOP